Lajmi i fundit

LIVE-Protesta e 116-të/ Shqiptarët në revoltë kundër qeverisë: Rama jep dorëheqjen

Bojkoti/ Blushi kërkesë Kuvendit: Ndërhyni për zgjidhjen e konfliktit mes GJKKO e Dhomës së Avokatisë

Bojkoti/ Blushi kërkesë Kuvendit: Ndërhyni për zgjidhjen e konfliktit mes GJKKO e Dhomës së Avokatisë

15:36, 23/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetari i Grupit Parlamentar te Partise se Lirisë, Tedi Blushi shprehu shqetësimin serioz lidhur me përshkallëzimin e konfliktit institucional ndërmjet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, situatë e cila tashmë ka sjellë bojkotimin edhe të seancave për caktimin dhe shqyrtimin e masave të sigurimit.

Me kërkesë zyrtare drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe Kryetarit të Komisionit të Mbikqyrjes Institucionale, Fatmir Xhafaj i kërkon Kuvendit të ndërhyrjë menjëherë për zgjidhjen e konfliktit mes GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomes se Avokatisë.

Z. Kryetar i Kuvendit,

Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj të shpreh shqetësimin tim serioz lidhur me përshkallëzimin e konfliktit institucional ndërmjet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, situatë e cila tashmë ka sjellë bojkotimin edhe të seancave për caktimin dhe shqyrtimin e masave të sigurimit.

Kjo situatë nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme ndërinstitucionale apo si një çështje thjesht administrative. Përshkallëzimi i saj rrezikon të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta mbi zhvillimin normal të proceseve penale, ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes, respektimin e afateve procedurale dhe, në mënyrë të veçantë, garantimin e procesit të rregullt ligjor.

Në këtë drejtim, është veçanërisht shqetësuese që avokatët ndodhen përballë një situate ku, nga njëra anë, përballen me detyrimin për të respektuar vendimmarrjen e organeve të tyre profesionale dhe, nga ana tjetër, me masa dhe pasoja procedurale të vendosura nga gjykata. Krijimi i një përplasjeje të tillë nuk i shërben as administrimit të drejtësisë, as funksionimit të pavarur të gjyqësorit dhe as ushtrimit të lirë dhe efektiv të profesionit të avokatit.

Rregullorja e Kuvendit, në nenin 18, përcakton se komisionet e përhershme, sipas fushave të përgjegjësisë, ndjekin zbatimin e ligjeve dhe kontrollojnë veprimtarinë e organeve përkatëse, duke propozuar marrjen e masave përkatëse. Ndërkohë, neni 102 u njeh komisioneve të përhershme të drejtën të kërkojnë shpjegime dhe informacion nga drejtuesit e institucioneve shtetërore, si dhe të kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të zhvillojnë kontrolle lidhur me çështje brenda fushës së tyre të përgjegjësisë.

Po kështu, kompetencat aktuale të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale përfshijnë shprehimisht koordinimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Kjo e bën këtë komision një forum të përshtatshëm parlamentar për të ndihmuar në adresimin institucional të një ngërçi që po prodhon pasoja të rënda për funksionimin e drejtësisë.

Për sa më sipër, kërkoj nga Kryetari i Kuvendit që, në përputhje me kompetencat e Kuvendit dhe Rregulloren e tij, të mundësojë trajtimin me urgjencë të kësaj çështjeje në komisionet përgjegjëse dhe veçanërisht:

Thirrjen urgjente të një seance dëgjimore të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të GJKKO së Shkallës së Parë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera që vlerësohen të nevojshme;

Kërkimin e informacionit dhe shpjegimeve të plota mbi shkaqet e krijimit të këtij ngërçi, efektet e tij konkrete mbi proceset gjyqësore dhe masat e marra nga secili prej institucioneve për parandalimin e pasojave mbi të drejtën e mbrojtjes dhe procesin e rregullt ligjor;

Nxitjen e një dialogu të drejtpërdrejtë institucional ndërmjet GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme dhe të qëndrueshme, pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit dhe kompetencat e organeve të avokatisë;

Vlerësimin e përputhshmërisë së kuadrit rregullator dhe praktikave të zbatuara me legjislacionin në fuqi dhe standardet e procesit të rregullt ligjor, veçanërisht për sa i përket ushtrimit efektiv të funksionit të mbrojtjes;

Në përfundim të shqyrtimit, hartimin e një raporti dhe, nëse vlerësohet e nevojshme, propozimin e masave përkatëse institucionale ose legjislative, me qëllim parandalimin e përsëritjes së situatave të ngjashme.

Kuvendi nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë gjykatat apo të ndërhyjë në vendimmarrjen gjyqësore. Por ai ka detyrimin kushtetues dhe parlamentar të ushtrojë kontrollin që i takon dhe të nxisë dialogun institucional kur një përplasje ndërmjet aktorëve të sistemit të drejtësisë rrezikon të cenojë funksionimin normal të tij dhe garantimin e të drejtave procedurale.

Në këto kushte, mbizotërimi i parimit të procesit të rregullt ligjor duhet të jetë kriteri udhëheqës për tejkalimin e këtij ngërçi. Çdo mosmarrëveshje institucionale duhet të zgjidhet përmes dialogut, proporcionalitetit dhe respektimit të kompetencave reciproke dhe nuk mund të lejohet të shndërrohet në një pengesë për funksionimin e drejtësisë penale.

Për këtë arsye, kërkoj që kjo çështje të trajtohet me urgjencë të veçantë parlamentare, përpara se pasojat e saj të bëhen edhe më të rënda dhe të prekin në mënyrë të pakthyeshme të drejtat e personave që janë aktualisht pjesë e proceseve penale.

Me respekt
Deputeti
TEDI BLUSHI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco