E mërkurë, 23 Shtator 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Skandali “Hyseni”, eksperti: Është në pikëpyetje siguria kombëtare, SPAK të zbardhë si janë përdorur informacione e klasifikuara

Eksperti i sigurisë kombëtare, Gerti Metani, deklaroi se përfshirja e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, në hetimin ndaj Ergys Agasit ka cenuar, sipas tij, funksionimin e institucionit të sigurisë.

Gjatë një interviste në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me Alkesandër Furxhi, Metani kritikoi gjithashtu mekanizmat e kontrollit parlamentar dhe mbikëqyrjen e institucioneve ligjzbatuese, duke pretenduar se kanë pasur mangësi në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Metani u ndal edhe te komunikimet mes Hysenit dhe Agasit, të cilat janë pjesë e materialeve të hetimit të SPAK dhe kanë ngritur dyshime për një marrëdhënie personale mes tyre. Sipas tij, kombinimi i këtyre komunikimeve me dyshimet për përdorim të informacionit institucional përbën një çështje që prek sigurinë kombëtare.

Ai theksoi se hetimet e SPAK pritet të zbardhin më tej rolin e personave të përfshirë dhe mënyrën se si janë përdorur informacionet e klasifikuara.

Reklamë

Intervista e plotë:

Aleksandër Furxhi: Atëherë a është cënuar sipas jush realisht siguria kombëtare? Çfarë rreziku konkret ka për shtetin?

Gerti Metani: Pa diskutim që siguria kombëtare është e cënuar duke qenë se kreu i institucionit më të rëndësishëm që menaxhon informacionin kriminal dhe sektorët e tjerë që kanë të bëjnë me korrupsionin, pastrimin e parave dhe mbikëqyrjen e agjencive ligjbatuese është përfshirë në një megaskandal. Në vend që të ndihmonte organet e policisë dhe prokurorisë, në këtë rast SPAK-un, që të zbardhte hetimet dhe të ndihmonte në fundin e arratisë së personit Ergys Agasi, drejtuesja e institucionit ndihmonte këtë person që të vazhdonte arratinë e tij. Për këtë arsye dhe për shumë arsye të tjera që hetimet do t’i zbardhin më vonë, institucioni ka çeduar në ofrimin e sigurisë dhe në mbrojtjen e interesit kombëtar shqiptar.

Aleksandër Furxhi: Shërbimi Informativ Shtetëror normalisht është në varësinë e kryeministrit dhe ai i raporton, jep llogari e është përgjegjës përpara Parlamentit me ligj, ku raporton të paktën një herë në vit. Pyetja është: a kanë funksionuar, si mendoni ju, mekanizmat e kontrollit parlamentar ndaj Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë gjatë tre viteve që Vlora Hyseni e ka drejtuar shërbimin?

Gerti Metani: Pa diskutim që shërbimi informativ lidhet me Kryeministrinë. Vetë kryeministri propozon drejtuesin e shërbimit informativ, i cili më pas dekretohet nga presidenti. Midis Shërbimit Informativ dhe Kryeministrisë është një Inspektor i Lartë i cili bën koordinimin e veprimeve dhe çon porositë në dy kahe të ndryshme. Nga ana tjetër, Parlamentarët (komisioni i ligjeve dhe komisioni për sigurinë kombëtare) janë prezentë në monitorimin e institucionit. Kanë patur gjithë kohën dhe mjetet e nevojshme që të mbikëqyrin siç duhet Shërbimin Informativ. Jemi sot përpara faktit të kryer që një person në krye të institucionit ka shpërdoruar detyrën, ka kryer vepra penale dhe ka njollosur institucionin e sigurisë që është partner i aleancës së NATO-s, e cila besueshmërinë tek përpunimi i informacionit e ka shumë herë më të rëndësishme se individin vetë.

Aleksandër Furxhi: Përveç cënimit të aspektit moral të çështjes, flasim për sigurinë kombëtare. Çfarë ndodh nëse mekanizmat që sigurojnë pikërisht atë që quhet siguria kombëtare dështojnë konkretisht?

Gerti Metani: Konkretisht, prej vitesh mekanizmat që monitorojnë institucionet ligjzbatuese në vendin tonë kanë çeduar, duke nisur me prokuroritë, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, inspektoriate të ndryshme dhe komisionet parlamentare. Deputetët e të dyja partive të mëdha që kanë shumicën në këto komisione kanë çeduar në mbikëqyrjen dhe mirëfunksionimin e tyre. Probleme të theksuara janë parë në Policinë e Shtetit, Policinë e Burgjeve, Forcat Zjarrëfikëse, Emergjencat Civile, AMP dhe sot edhe në Shërbimin Informativ. Ky i fundit ruan anonimatin deri në atë pikë sa kemi edhe tenderime e prokurime që nën hijen e dyshimit nuk kanë kaluar filtrat e duhur të procedurës. Të gjitha këto çedime, bashkë me çedimin e institucionit të Presidentit të Republikës, e bëjnë Shqipërinë një vend më vulnerabël që nuk garanton rend dhe siguri për qytetarët.

Aleksandër Furxhi: Dhe një pyetje e fundit e cila në fakt ka kërshëri në opinionin publik. Duket që marrëdhënia mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit është më shumë se shoqërore, është intime. Çfarë ndikimi ka në të gjithë këtë skandal ky fakt?

Gerti Metani: Ka kohë që dyshohet për marrëdhënie intime të zotit Agasi me disa persona të caktuar në krye të institucioneve shtetërore, dhe tani po shikojmë një marrëdhënie intime të zbuluar nga përgjimet dhe nga dokumentacioni i dosjes së SPAK-ut. Besoj se në të ardhmen, pas përpunimit të USB-së dhe materialeve të tjera të sekuestruara nga SPAK, do të kemi raste të tjera të kësaj situatë. Kur kemi një miksim të marrëdhënies intime, mungesës së profesionalizmit, shpërdorimit të detyrës dhe përkrahjes së autorit të krimit, ne kemi mundësi të shikojmë një skenar hollivudian të shkatërrimit të institucionit dhe të sigurisë publike. Kjo tregon se burimet njerëzore në këto institucione nuk qenkan në shërbim të vendit apo kushtetutës, por në shërbim të personave të caktuar.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.