AKTUALITET /

Trafikoi 253 shtetas nga Bangladeshi drejt Evropës, arrestohet në Itali 47-vjeçari i dënuar me 15 vite burg në Shqipëri

Shtetasit nga Bangladeshi, sipas hetimeve, silleshin fillimisht në Shqipëri nga Dubai.

Shkruar nga Versus

  Trafikoi 253 shtetas nga Bangladeshi drejt Evropës, arrestohet në  

Autoritetet italiane kanë arrestuar 47-vjeçarin Alok Mittra, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ai pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi në vitin 2024 është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Posaçme.

Mittra është shpallur fajtor për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal që, gjatë një periudhe rreth gjashtëmujore në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e paligjshëm të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Shtetasit nga Bangladeshi, sipas hetimeve, silleshin fillimisht në Shqipëri nga Dubai. Më pas, përmes kontratave fiktive të punës, pajiseshin me leje qëndrimi shqiptare, të cilat i përdornin për të vijuar udhëtimin drejt vendeve të BE-së.

Në këtë skemë, Mittra dyshohet se kishte rol në shoqërimin, transportimin dhe akomodimin e shtetasve të huaj gjatë lëvizjes së tyre.

Arrestimi i tij në Itali i hap rrugë procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë, ku ai duhet të vuajë dënimin prej 15 vitesh burg të dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Poll