
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Irani nuk do të “gjunjëzohet” përballë presionit amerikan, por njëkohësisht theksoi se Teherani është i gatshëm për dialog dhe negociata.
Fjalimi i tij erdhi një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA mund ta “asgjësojë” Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Gjatë fjalimit, delegacioni amerikan u largua nga salla. Pezeshkian mbajti në duar fotografi të ish-Udhëheqësit Suprem iranian Ali Khamenei dhe të fëmijëve të vrarë në sulmet amerikane, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për sulme ndaj Iranit.
“Ne jemi gati për dialog, diplomaci dhe negociata, por pa pranuar gjuhën e forcës”, deklaroi Pezeshkian, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt kërcënimeve të Trumpit.
Një prej çështjeve kryesore të ngritura nga Teherani lidhet me Ngushticën e Hormuzit, ku konflikti ka shkaktuar ndërprerje të transportit detar dhe ka ndikuar në tregjet globale të energjisë. Irani kërkon gjithashtu që SHBA të heqë bllokadën ndaj porteve iraniane dhe të lirojë asetet e ngrira të vendit.
Pezeshkian përsëriti gjithashtu qëndrimin e Iranit se vendi nuk kërkon armë bërthamore, ndërsa këmbënguli për të drejtën e Teheranit për zhvillimin e teknologjisë bërthamore për qëllime paqësore./Versus.al

