Më 28 korrik 2026, një foshnjë vetëm 1 vjeç e gjysmë dhe e ëma u përfshinë në një aksident në unazën e Korçës.
Babai i fëmijës akuzon mjekun e Maliqit, Petrika Kacori, se i ka përplasur familjarët me automjet, duke kaluar në vijat e bardha. Ne kemi siguruar pamjet e një kamere sigurie pranë vendit të ngjarjes, që tregojnë momentin e përplasjes.
Familja ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është hetuar çështja nga policia dhe prokuroria. Sipas babait, të nesërmen e aksidentit, djali i mjekut, së bashku me një punonjës policie, ka kontaktuar bizneset pranë vendit të ngjarjes dhe u ka kërkuar të mos japin pamjet e kamerave.
Mjeku i Maliqit, Petrika Kacori, pretendon se nëna dhe foshnja i kanë dalë përpara automjetit jashtë vijave të bardha. Edhe pasi i vëmë në dispozicion pamjet filmike, ai vijon ta kundërshtojë këtë version.
Kacori thotë se pas aksidentit ka qëndruar vetëm dy ditë në arrest, ndërsa më pas gjykata i ka caktuar masën “detyrim për paraqitje”. Familja e të aksidentuarve kërkon që pamjet filmike dhe të gjitha provat e çështjes të administrohen dhe të hetohen.
Ndërkohë, pasojat për foshnjën kanë qenë serioze. Fillimisht e mitura u trajtua në Spitalin e Korçës, më pas u transportua në Spitalin e Traumës, ku qëndroi rreth një javë. Sipas babait, fëmija ka pësuar fraktura dhe, sipas mjekëve në Gjermani, edhe dëmtime në kafkë. Familja, që jeton në Gjermani, ka vijuar atje trajtimin e vajzës./tvklan.al