
Një qendër konventash në Kiev, ku ndodhet edhe selia e partisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, është goditur nga një sulm rus të mërkurën, në kohën kur Zelensky po mbante fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Sipas zyrtarëve të qytetit të Kievit, sulmi ishte pjesë e një serie bombardimesh që goditën kryeqytetin ukrainas gjatë gjithë ditës.
Nga sulmet në Kiev kanë humbur jetën dy persona, ndërsa 43 të tjerë janë plagosur. Mes zonave të goditura ishte edhe një zonë pranë një universiteti, ndërsa qendra e konventave u godit dy herë.
Goditja e dytë ndaj qendrës së konventave ndodhi ndërsa presidenti ukrainas po mbante fjalimin në OKB.
Si pasojë e sulmit, çatia e ndërtesës u dëmtua, ndërsa një zjarr që shpërtheu pas goditjes u vu nën kontroll nga shërbimet e emergjencës.
Sulmet ruse u shtrinë edhe në rajonin e Donetskut, në lindje të Ukrainës.
Sipas guvernatorit rajonal Vadym Filashkin, forcat ruse hodhën të mërkurën në mëngjes katër bomba ajrore mbi fshatin Oleksandrivka. Nga bombardimi mbetën të vrarë të paktën pesë persona.
Të paktën gjashtë persona të tjerë u plagosën, ndërsa shtatë persona, mes tyre dy fëmijë, dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Nga sulmi janë dëmtuar të paktën 12 pallate, 42 banesa private, një ndërtesë administrative, një çerdhe, një dyqan dhe shtatë automjete.

