Cristiano Ronaldo ka reaguar ndaj kritikave të vazhdueshme që ka marrë gjatë karrierës së tij, duke theksuar se pas më shumë se dy dekadash në futboll është mësuar me sulmet dhe vëmendjen e madhe mediatike.
Duke folur në një konferencë për shtyp nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë, sulmuesi i Al Nassr u shpreh se gjatë karrierës së tij është ndier i mirëpritur në shumë vende dhe se mbështetja e tifozëve ka mbetur ndër gjërat më të rëndësishme për të.
“Kam luajtur futboll për shumë vite dhe jam mirëpritur pothuajse kudo”, u shpreh Ronaldo.
I pyetur për kritikat që vijnë nga disa media, pesë herë fituesi i Topit të Artë përdori një metaforë të fortë për të treguar se nuk lejon që sulmet ndaj tij të ndikojnë.
“Disa kanale pëlqejnë të më sulmojnë dhe të përpiqen të më vrasin, por nuk kanë asnjë shans, as me pushkë. Edhe atëherë, i shmangem plumbit”, tha ylli portugez.
Ronaldo shtoi se kritikat janë bërë tashmë pjesë e pandashme e karrierës së tij, por ajo që ka rëndësi për të është dashuria dhe mbështetja që vazhdon të marrë nga tifozët.
“Jam mësuar me këtë, e kam bërë këtë punë për më shumë se 20 vjet, por ajo që më ka mbetur janë ata që më duan. Ndjej dashurinë e popullit portugez”, përfundoi Ronaldo.


