Avokatët kanë marrë masë drastike këtë të mërkurë duke bojkotuar edhe masat e sigurisë në Gjykatën e Posaçme për shkak se kundërshtojnë rregulloren e re të saj që u ndalon telefonat në gjyq. Bojkoti i gjyqeve të zakonshme ka nisur prej 8 shtatorit, ku javën e fundit GJKKO iu kundërpërgjigj avokatëve edhe me gjoba, teksa këta të fundit, nga e hëna e 28 shtatorit, nisin bojkotin edhe të masave të sigurisë.
SYRI TV
Këshilli i Përgjithshëm pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka vendosur këtë të mërkurë masë drastike për të kundërshtuar rregulloren e re të GJKKO, ku nga e hëna e 28 shtatorit do të bojkotojnë edhe seancat për marrjen në pyetje dhe vlerësimin e caktimit të masave të sigurisë. Ky vendim do të nisë të zbatohet prej të hënës së ardhshme dhe është pa afat, me paralajmërimin që shkelësit do të përballen me pasoja deri në heqjen e licencës. Vendimi erdhi pas heshtjes dy javore, ku nga 8 shtatori, avokatët bojkotuan seancat e zakonshme gjyqësore me kërkesën drejtuar GJKKO-së që të tërhiqet nga rregullorja e re që u ndalon atyre mbajtjen dhe përdorimin e celularëve në gjyq. Ashpërsimi i vendimit nga avokatët, rrezikon kolapsimin e GJKKO-së deri në shkelje të rënda të të drejtave të arrestuarve për të patur mbrojtës. Javën e fundit GJKKO iu kundërpërgjigj bojkotit të avokatëve me gjobitjen e një sërë prej tyre me nga 50 mijë lekë të reja, ndonëse paraqiteshin në gjyq si publik, por nuk merrnin tagrat e përfaqësimit. Rregullorja është kundërshtuar edhe nga gazetarët, që përmes asosacionit të gazetarëve të shqipërisë, i janë drejtuar me padi Gjykatës kushtetuese. Gazetarëve u është kërkuar akreditim detyrues me të dhënat e tyre personale, si dhe ndalim i posedimit të celularëve në gjyq, apo të riprodhimit të seancave gjyqësore me inteligjencë artificiale.
© SYRI.net