Qindra qytetarë janë mbledhur edhe këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po zhvillohet nata e tetë radhazi e protestës “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit janë mbledhur në qendër të kryeqytetit për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të shkallës së parë dhe për të kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Në shesh janë vendosur pankarta, flamuj dhe mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa “Jo në emrin tim” vijon të jetë motoja kryesore e protestës. Në natën e tetë, para protestuesve pritet të ketë edhe fjalime dhe pjesëmarrje të figurave publike.
Protestat vijojnë pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Sipas gjykatës, të katër u shpallën fajtorë për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes.
Në të njëjtin vendim, Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, duke vlerësuar se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile.
Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015 përmes ndryshimeve kushtetuese dhe një ligji të posaçëm, pas hetimeve që pasuan pretendimet e përfshira në raportin e Këshillit të Evropës të hartuar nga Dick Marty.
Pas aktgjykimit, në Kosovë janë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme në Prishtinë dhe tubime të tjera të organizuara nga veteranët e UÇK-së. Në këto protesta është kërkuar ndryshimi i kuadrit ligjor për Dhomat e Specializuara, ndërsa mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së kanë kërkuar gjithashtu mbështetje më të madhe institucionale gjatë fazës së apelimit.
Çështja tashmë pritet të vijojë në fazën e apelimit. Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020, kur u transferuan në objektet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.
Për shumë prej protestuesve, kundërshtimi ndaj aktgjykimit lidhet edhe me mënyrën se si ata e shohin luftën e viteve 1998-1999 dhe rolin e UÇK-së në historinë e Kosovës. Gjatë luftës, autoritetet serbe e konsideronin UÇK-në organizatë terroriste, ndërsa në Kosovë ajo shihet gjerësisht si forca që luftoi kundër forcave serbe dhe jugosllave.
Protesta “Jo në emrin tim” pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa në Kosovë janë paralajmëruar edhe tubime të tjera publike lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara.


