Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja: Kuvendi është konstituuar, formimi i Qeverisë s’është antikushtetues

Kuvend 1 1shtator

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se konstituimi i Kuvendit është bërë pas afatit kushtetues, por ka kërkuar që të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit të dytë dhe se si pasojë ka nisur rrjedhja e afatit për zgjedhjen e presidentit.

Kushtetuesja ka konstatuar se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. 

Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit prej 30 ditësh. Megjithatë, sipas Gjykatës, kalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rastin kur posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.

Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja ka vlerësuar se deputetët duhet, sa më parë, të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Të konstatojë që vendimi i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.

Vendimi është marrë pas dy kërkesave të PDK-së, përmes të cilave kjo parti kishte kontestuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Më 13 shtator, në mungesë të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit, por pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e PDK-së.

Më vonë gjatë së njëjtës ditë, Kuvendi votoi edhe Qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Vendimi i Kushtetueses

Gjykata, njëzëri, vendosi:

TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;

TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;

T'UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor

9 o. më parë / 23 sht 2026 14:58
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më së largu më 6 tetor. 

Në njoftimin për vendim për kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Kushtetuesja ka konstatuar se më 8 gusht ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit prej 30 ditësh për konstituim e ka për pasojë nisjen e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentin. 

“TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;” thuhet në pikën e gjashtë të vendimit.

Zgjedhjet e 7 qershorit u shkaktuan pikërisht për shkak të dështimit të partive për t’u dakorduar për emrin e presidentit të ri.

Pas 7 qershorit, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje kërkoi shtyrjen e seancës konstituive me arsyetimin se pa një marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk shmangin zgjedhjet.

Kryetari i saj, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, pas disa takimesh njoftuan se janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së dhe Sejdiu më vonë njoftoi për tërheqje nga kandidatura.