Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar sot në përgjigje të kërkesave të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo ka konstatuar gjithashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026.

Këtu do t’i gjeni reagimet pas vendimit të Gjykatës Kushteutese.

Hargreaves: Partitë në Kosovë të tregojnë përgjegjësi e bashkëpunim për ta zgjedhur presidentin

4 o. më parë / 23 sht 2026 19:02
har

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar kryeministrin Albin Kurti pas konfirmimit nga Gjykata Kushtetuese se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën. 

Ai ka theksuar se pas bllokimit të gjatë politik, ky është hap i rëndësishëm drejt institucioneve të qëndrueshme që mund t’u ofrojnë shërbime qytetarëve. Ka thënë tutje se Britania pret të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë në vijim. 

Ndërkohë, Hargreaves ka deklaruar se pret nga partitë të bashkëpunojnë për të zgjedhur presidentin para 6 tetorit. 

“Shpresoj që të gjitha partitë politike tani do të tregojnë një frymë përgjegjësie dhe bashkëpunimi duke punuar së bashku për të zgjedhur një president para 6 tetorit, duke e ndihmuar Kosovën të përmbushë reformat, mundësitë dhe sfidat që e presin. Mbretëria e Bashkuar mbetet një mik dhe partner i palëkundur i Kosovës, duke punuar së bashku në interesin tonë të ndërsjellë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, mundësitë ekonomike, sigurinë rajonale dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar ambasadori në Facebook.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar të martën, në përgjigje të kërkesave të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës, ka vendosur se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo ka konstatuar gjithashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026.


 

PDK-ja mirëpret vendimin e Kushtetueses, kërkon që Kuvendi ta votojë Projektligjin për Specialen

6 o. më parë / 23 sht 2026 17:10
PDK

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se Kuvendi është konstituuar dhe që Qeveria është zgjedhur në mënyrë kushtetuese. 

Në një reagim partia më e madhe e opozitës ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet dhe ta votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligji për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin që e kanë procedura në Kuvend të hënën. 

“Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore është prioritet kombëtar në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, thuhet në reagim.

PDK-ja ka vlerësuar se vendimi i Kushtetueses u jep përgjigje shqetësimeve që ka ngritur për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale.

“Që nga muaji gusht, PDK ka kërkuar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale në një kohë kur qytetarët presin vendime për çështjet me rëndësi për vendin”, thuhet në reagim. 

Në të njëjtën kohë, thuhet se PDK-ja ka kërkuar që kriza të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve. 

“Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve. Sipas vlerësimit të PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera. Kuvendi i ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e të panevojshme”, thuhet në reagim.

Gruda: Kushtetuesja konfirmoi qëndrimet e PDK-së, afatet s’mund të përshtaten sipas vullnetit politik

6 o. më parë / 23 sht 2026 16:52
Përparim Gruda - PDK

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka vërtetuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe.

Ai ka thënë se vendimi i sotëm konfirmon një parim themelor, që “afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”.

E para sipas tij Kushtetuesja e ka konstatuar se Kushtetuta është shkelur duke mos u konstituuar Kuvendi brenda afatit 30-ditor.

Gjithashtu ai ka thënë se Gjykata e ka vërtetuar se “afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor”.

“Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar”, ka shkruar Gruda.

Ai gjithashtu ka thënë se Kushtetuesja ka konstatusr se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet. “Kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare”, ka shkruar Gruda. 

Ai gjithashtu ka thënë tani janë vetëm 13 ditë kohë për të vepruar. 

“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë.

Gjykata Kushtetuese të mërkurën ka njoftuar se ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar dhe se Qeveria është zgjedhur në mënyrë kushtetuese. 

 

Miftaraj për gjyqtarët e Kushtetueses: Po e luajnë rolin e politikanit kushtetutshkelës

6 o. më parë / 23 sht 2026 16:49
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese pasi vendosi se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo konstatoi gjithashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. 

Miftaraj ka thënë se gjyqtarët e Kushtetueses po e luajnë rolin e “politikanit kushtetutshkelës” duke e ndryshuar praktikën gjyqësore dhe atë parlamentare. 

“Gjykata Kushtetuese po e luan rolin e babadimrit. Për festat e fundvitit secilit/es nga një dhuratë. Brenda një viti se paku dy here e ndryshon praktiken gjyqesore dhe dy here praktiken parlamentare. Gjyqtarë të cilët e luajnë rolin e politikanit kushtetutshkelës”, ka shkruar Miftaraj pas vendimit. 

Kushtetuesja po ashtu ka vlerësuar se deputetët duhet, sa më parë, të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK). 

Vendimi është marrë pas dy kërkesave të PDK-së, përmes të cilave kjo parti kishte kontestuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

 

 

Qorrolli i VV-së thotë se nëse tani vendi shkon në zgjedhje përgjegjëse është opozita

6 o. më parë / 23 sht 2026 16:31
Vigan Qorrolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, u është drejtuar partive të opozitës pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar dhe se Qeveria është zgjedhur në mënyrë kushtetuese. 

Ai ka thënë se tani ose duhet zgjedhur presidentin ose vendi shkon në zgjedhje. 

Sipas tij nëse vendi shkon në zgjedhje atëherë përgjegjëse është opozita. 

“Gjykata Kushtetuese e tha shumë qartë: Kuvendi është legjitim dhe Qeveria është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën. Brenda dy javësh, deri më 6 tetor, duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës. Pra, PDK, LDK e AAK: ose ulemi, votojmë dhe e përmbyllim këtë proces institucional, ose vendi shkon në zgjedhje në mesin e nëntorit. Hajdeni ta zgjedhim presidentin. Nëse jo, vetëm ju jini përgjegjës...”, ka shkrua Qorrolli. 

Gjini: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, fajtor është Albin Kurti

6 o. më parë / 23 sht 2026 16:27
Ardian GJini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe se për këtë fajtor, sipas tij, është kryeministri Albin Kurti. Ai ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se konstituimi i Kuvendit është bërë pas afatit kushtetues dhe konstatimit se formimi i Qeverisë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. 

Gjini ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht i ka zvarritur proceset për konstituim dhe formim të qeverisë që ta çojë vendin në zgjedhje. 

“Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë. Edhe këtë Aleanca e ka spikatur panumër herë. Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka shkruar ai.

Gjini ka theksuar se 6 tetorin, datë që Kushtetuesja e nxori për zgjedhjen e presidentit, e ka pritur edhe LVV-ja. 

“Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar tutje Gjini. 
 

Ramadani: Kushtetuesja ia dështoi lojën pushtetit

8 o. më parë / 23 sht 2026 15:13
Burim Ramadani ka deklaruar se fitorja e Kurtit me 7 qershor do të jetë e fundit dhe nuk do të përsëritet më

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se vendimi i Kushtetueses ua hodhi poshtë krejt atë, që sipas tij, e bëri Vetëvendosja nga data 8 gusht deri më 13 tetor.

Sipas tij, Kushtetuta nuk është copë letre këshilluese dhe afatet kushtetuese nuk janë dekor.

“U dështoi loja pushtetarëve! Le ta mësojnë këta pushtetarët: Kushtetuta nuk është cope letre këshilluese dhe afatet kushtetuese nuk janë dekor.  Gjykata Kushtetuese konstatoi qartë se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit 30 ditësh. Madje, edhe përcaktoi pasojat kushtetuese të këtij tejkalimi.  Deri më 6 tetor ose zgjidhet Presidenti ose shkohet në zgjedhje. Një dështim total i lojës së pushtetarëve! Krejt çka kanë bërë nga 8 gushti e deri më 13 shtator, Gjykata ua hodhi poshtë!”, thuhet në reagimin e tij.