Presidenti iranian Masoud Pezeshkian në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara i është përgjigjur me tone të ashpra fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump të një dite më parë.
“Presidenti i SHBA-së na përshkroi si terroristë. Ne kemi qenë viktima të terrorizmit”, tha Pezeshkian.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara “bombarduan një shkollë dhe se fëmijë humbën jetën nën bomba, me armë të përdorura nga SHBA-ja dhe Izraeli”.
Pezeshkian tha se Irani “nuk e uli kokën... dhe u përgjigj”, por theksoi se vendi i tij nuk goditi popullsinë civile, duke shtuar se Irani “vetëm u mbrojt”.
Ndërsa Pezeshkian vijonte fjalimin, delegacioni amerikan u largua nga salla.
Presidenti iranian u ndal edhe te politikat ushtarake të vendit, duke thënë se “për dy shekujt e fundit Irani nuk ka sulmuar asnjë shtet apo territor tjetër”. Sipas tij, fuqia ushtarake e Iranit ka karakter vetëm mbrojtës.
Edhe
Presidenti iranian kërcënon me sulme të reja ndaj objektivave amerikane
Pezeshkian foli edhe për programin bërthamor të Iranit, duke këmbëngulur se Teherani e kërkon teknologjinë bërthamore për prodhimin e energjisë dhe për zhvillim, dhe jo për qëllime ushtarake.
“Ne nuk do ta ulim kokën dhe nuk do të heqim dorë nga një e drejtë që na takon. E themi qartë: jo armëve bërthamore dhe jo kufizimeve ndaj teknologjisë bërthamore paqësore”, tha ai.
Duke folur për Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë, Pezeshkian tha se Irani nuk mund t’i lejojë që disa vende të kenë qasje të lirë në këtë rrugë ujore dhe të përfitojnë prej saj, ndërsa njëkohësisht, sipas tij, e përdorin atë për të ushtruar agresion dhe për t’i mohuar Iranit qasjen në ujërat e veta.
Ai paralajmëroi se çdo zgjerim i konfliktit nuk do të sjellë më shumë siguri.
Më pas, ai iu drejtua atyre që, sipas tij, “kryen agresione ndaj vendit të tij”, duke thënë se ata kanë provuar forcën dhe qëndrueshmërinë e Iranit dhe kanë mësuar se ky vend nuk mund të detyrohet të dorëzohet.
“Irani nuk ka qenë kurrë agresor, nuk ka nisur asnjëherë luftë dhe gjithmonë ka treguar gatishmëri për t’u ulur në tryezën e negociatave”, u shpreh ai.
Duke iu rikthyer fjalimit të Donald Trump të një dite më parë, Pezeshkian tha se deklaratat e presidentit amerikan për Iranin bien ndesh me vetë frymën e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Ai paralajmëroi se rezistenca e popullit iranian do të rritet përballë sanksioneve, presionit dhe kërcënimeve të shtuara.
“Ne nuk do ta ulim kurrë kokën dhe nuk do të gjunjëzohemi”, tha Pezeshkian.
Edhe
Presidenti iranian u kërkon falje për sulmet shteteve të Gjirit Persik
Në përfundim të fjalimit, presidenti iranian deklaroi se Teherani është i gatshëm për dialog, diplomaci dhe negociata, por jo në kushtet e kërcënimeve apo përdorimit të forcës.
“Jemi të gatshëm për dialog dhe diplomaci dhe për negociata - pa pranuar gjuhën e forcës”, tha Pezeshkian.