Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja kërkon mbledhjen e menjëhershme të Kuvendit. LVV-ja fajëson opozitën nëse shkohet në zgjedhje

Kuvend 1 1shtator

Foto: Driton Paçarada

Është pasuar me reagime, vendimi i Kushtetueses përkitazi me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë. Secili prej kampeve politike e ka interpretuar atë si konfirmim të kushtetutshmërisë së veprimeve apo vendimeve të marra pas zgjedhjeve. Ndërkaq, përmbajtja është kontestuar nga aktivistë të shoqërisë civile.

Taborët politikë kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe secili e ka interpretuar atë si konfirmim të kushtetutshmërisë së veprimeve apo vendimeve të marra pas zgjedhjeve.

Partia Demokratike, në kërkesat e së cilës është përgjigjur gjykata, ka vlerësuar se vendimi u jep përgjigje shqetësimeve që ka ngritur për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale.

PDK-ja ka listuar detyrat që, sipas saj, duhet përmbushur brenda 13 ditëve që kanë mbetur nga afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.

“Kuvendi i ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e të panevojshme. Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e PDK-së

Ndërkaq, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se Gjykata e ka theksuar qartë se Kuvendi është legjitim dhe Qeveria është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Edhe Vela e cilëson gjysmak vendimin e Gjykatës Kushtetuese Arbëri Vela e cilëson gjysmak vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Deputeti i saj, Vigan Qorrolli, ka shtruar nevojën për evitim të zgjedhjeve të reja.

“Brenda dy javësh, deri më 6 tetor, duhet të zgjidhet presidenti i Republikës. Pra, PDK, LDK e AAK: ose ulemi, votojmë dhe e përmbyllim këtë proces institucional, ose vendi shkon në zgjedhje në mesin e nëntorit. Hajdeni ta zgjedhim presidentin. Nëse jo, vetëm Ju jini përgjegjës”, ka shkruar Qorrolli.

Por, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, parashikon që zgjedhjet janë të pashmangshme dhe fajin për këtë e ka hedhur te kryeministri Kurti.

“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti. Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”, ka vlerësuar Gjini.

E, aktivistë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Kushtetuesen për vendimin.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se gjyqtarët e Kushtetueses po e luajnë rolin e “politikanit kushtetutëshkelës” duke e ndryshuar praktikën gjyqësore dhe atë parlamentare.

Edhe Deputetët kanë 13 ditë kohë për të zgjedhur presidentin Arbëri Deputetët kanë 13 ditë kohë për të zgjedhur presidentin

Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se Kushtetuesja përmes këtij vendimi e ka pamundësuar zvarritjen e pakontrolluar të formimit të institucioneve, por, sipas tij, çështja e diskutueshme dhe e patrajtuar nga Gjykata mbetet se kush do ta caktojë datën e re të zgjedhjeve, nëse nuk arrihet të zgjidhet suksesshëm presidenti.

Në vendimet e mëparshme, kur e ka trajtuar konstituimin e Kuvendit, Gjykata pati konstatuar se legjislatura konsiderohet e konstituuar vetëm kur zgjidhet kryeparlamentari dhe të gjithë nënkryetarët.