Alarmi i studiuesve: El Niño dhe valët ekstreme të të nxehtit mund të shkaktojë 451 mijë vdekje deri në shkurt

Nga A2 CNN
24 Shtator 2026, 06:51 | Bota

Alarmi i studiuesve: El Niño dhe valët ekstreme të të

Fenomeni El Niño dhe temperaturat rekord mund të shkaktojnë deri në 451 mijë vdekje shtesë në mbarë botën nga qershori 2026 deri në fund të shkurtit 2027. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar nga “Climate Impact Lab” i Universitetit të Çikagos.

Sipas raportit, temperaturat globale në tokë gjatë kësaj periudhe mund të jenë mesatarisht rreth 1.2 gradë Celsius më të larta se zakonisht. Edhe pse rritja mund të duket e vogël, ajo pritet të sjellë rreth 44% më shumë ditë me nxehtësi ekstreme krahasuar me një vit tipik.

Studiuesit paralajmërojnë se pasojat e valëve të të nxehtit mund të vazhdojnë edhe përtej përfundimit të El Niño-s, duke u ndjerë deri në verën e ardhshme. Sipas tyre, kushtet e krijuara nga ky fenomen mund të ngjasojnë me ato që ndryshimet klimatike mund t’i bëjnë të zakonshme brenda dy dekadave të ardhshme.

Ndikimi më i madh pritet të ndihet në vendet me të ardhura më të ulëta. Rajoni i Sahelit në Afrikë konsiderohet më i rrezikuari, me rreth 66,800 vdekje shtesë të lidhura me të nxehtin. Rrezik të lartë paraqesin gjithashtu Azia Jugore dhe Juglindore, si dhe pjesë të Amerikës Latine. Studimi parashikon mijëra viktima shtesë në vende si Filipinet, Vietnami, Tajlanda, Kamboxhia, Indonezia, India dhe Brazili.

Autorët e raportit rekomandojnë masa parandaluese nga qeveritë si sistemet e paralajmërimit për valët e të nxehtit, qendrat e ftohjes, stacionet e hidratimit, mbrojtjen e punëtorëve që punojnë jashtë, rritjen e kapaciteteve spitalore dhe mbështetje të veçantë për të moshuarit dhe grupet më të cenueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos