Ashtu siç e kanë paralajmëruar, studentët dhe qytetarë të shumtë pritet të mblidhen sot para Kuvendit nga ku do të presin me vezë në duar deputetët. Një orë para seancës së sotme plenare e cila pritet të mbahet në 10:00, studentët e kanë mirëmenduar organizimin e protestës së sotme e cila starton para se të nisin me punimet në Kuvend, ku deputetët me të mbërritur pranë institucionit, do të “shënjestrohen” me vezë, domate e kastravecë.
Siç raportuam dhe ne ditën e djeshme, studentët kanë dalë me thirrje publike që sot të mblidhen të gjithë para Parlamentit, duke kërkuar që të ketë një pjesëmarrje masive të qytetarëve.
“Ora e lumturisë, ju erdhi veza, deputetë e hajdutë” shkruhet në postimin më të fundit të bërë në rrjet nga studentët.
Nga ana tjetër, deputetët ulen sot në Kuvend ku referuar rendit të ditës, pritet të zhvillohen dy interpelanca dhe diskutime për dy projektligje.
Interpelanca e parë pritet të mbahet me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit. Po ashtu dhe interpelanca e dytë e kërkuar nga demokratët pritet të mbahet me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Ndërsa, pas përballjes mes demokratëve dhe socialistëve pritet të shqyrtohet Projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza” si dhe projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike".
Kujtojmë se protesta e ashtuquajtur “Revolucioni Flamingo” hyn sot në ditën e 117-të. Prej tre muajsh, qytetarët janë ngritur në këmbë duke kërkuar ndryshime rrënjësore të politikës shqiptare, mes të cilave kryesojnë dorëheqja e kryeministrit Rama dhe e liderit demokrat Sali Berisha.
Pas më shumë se tre muajsh në rrugët e Tiranës, qytetarët nga dita në ditë kanë bërë thirrje që kur studentët të rikthehen për të vazhduar vitin e ri shkollor, t’i bashkohen protestës qytetare e mesa duket këta të fundit e kanë plotësuar kërkesën e protestuesve.

