web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bankat fshinë 5 miliardë lekë kredi në gjysmën e parë të vitit

24 Shtator 2026, 07:36, Ekonomi CNA

Bankat fshinë 5 miliardë lekë kredi në gjysmën e

Bankat tregtare vijuan fshirjen e kredive edhe në gjysmën e parë të këtij viti, por në vlera disi më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar nxorri jashtë bilanceve rreth 5 miliardë lekë.

Kjo vlerë ishte 6% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kreditë e fshira ishin kryesisht kredi në monedhën vendase të dhëna për segmentin e biznesit.

Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit është një veprim kontabël, që nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rekuperimit të saj. Fshirja ka qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave dhe është veprim që nuk ka efekt financiar shtesë.

Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi të marrë përmasa të mëdha në vitin 2015, kur Banka e Shqipërisë vendosi detyrimin rregullator për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.

Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%.

Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë. Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2026, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre më shumë se 1 miliard euro kredi.

Cilësia e portofolit të kredisë u përmirësua gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.7% në fund të qershorit 2026. Ky është niveli më i ulët i këtij raporti në 15 vjetët e fundit.

Megjithatë, në vlerë absolute, kreditë me probleme u rritën në 37 miliardë lekë, rreth 1 miliard lekë më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Në nivel sektori, raporti i kredive me probleme u ul me 0.1 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit 2025 dhe me 0.3 pikë përqindje në terma vjetorë. Bankat raportuan përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë veçanërisht për kreditë afatshkurtra, kreditë në lekë dhe ato të akorduara për bizneset.

Në strukturën e kredive me probleme u vërejt rënia e peshës së kredive të humbura dhe rritja e peshës së kredive nën standard. Pesha e kredive të klasifikuara si “nën standard” u rrit në 41% të kredive me probleme në fund të qershorit 2026, nga 34% në fund të vitit 2025. Kjo u shoqërua me një ulje të peshës së kredive “të humbura”, nga 47%, në 44%. Kreditë e humbura vazhdojnë të zënë peshën kryesore në portofolin e kredive me probleme./ Monitor 





Lajmet e fundit nga