8 viktima nga sulmet ruse në Ukrainë gjatë fjalës së Zelenskyt në OKB, dron i parë i paidentifikuar në aeroportin e Berlinit

Nga A2 CNN
24 Shtator 2026, 07:59 | Bota

8 viktima nga sulmet ruse në Ukrainë gjatë fjalës së

Tetë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas bombardimeve intensive ruse të Ukrainës. Raketat dhe dronët e Moskës shpërthyen, veçanërisht në zonat e Kievit dhe Odesës, pikërisht kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po fliste para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

"Vladimir Putin është pacienti zero; ai duhet të ndalet", tha udhëheqësi ukrainas, duke sulmuar presidentin rus. Dhe ndoshta jo rastësisht, midis objektivave të goditura në ato minuta ishte një qendër konferencash që strehon selinë e partisë së Zelensky-t. Ndërsa disa orë më vonë, një valë e re raketash ra mbi Ukrainën.

"Sot, rusët nisën një sulm me raketa ndaj Kievit, pikërisht kur po diskutonim nevojën për të shtrënguar sanksionet gjatë një takimi me anëtarët e Kongresit. Rusia nuk do ta përfundojë këtë luftë pa presion", shkroi Volodymyr Zelensky në Telegram.

"Ndërsa njerëzit flinin, qielli ndriçoi nga shpërthimet. Edhe një herë, objektivi kryesor i sulmit të tyre është Kievi dhe infrastruktura civile: ndërtesa banimi, një spital, sektori i energjisë dhe logjistika. Çdo sulm është për shkak të faktit se presioni mbi agresorin nuk është ende i plotë dhe Rusia beson se mund të vazhdojë të përdorë terrorin me raketa. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë mundësinë të përgjigjen me forcë. Sistemet e përgjimit të raketave janë të nevojshme për të mbrojtur jetët. Sanksionet duhet të zbatohen kundër Rusisë dhe atyre që e ndihmojnë atë të fitojë para", u shpreh Zelensky.

Ndërkohë presidenti polak Karol Naërocki, deklaroi në OKB se Rusia po destabilizon Evropën përmes agresionit, operacioneve hibride, sabotimeve dhe shkeljes së normave ndërkombëtare. Ai theksoi se Polonia nuk kërkon konflikt dhe se NATO mbetet garantuesi kryesor i sigurisë transatlantike.

“Moska po destabilizon situatën në Evropë përmes agresionit të hapur, operacioneve hibride, akteve të përmbysjes dhe sabotimit, dhe duke injoruar rezolutat e kësaj asambleje. E drejta ndërkombëtare synon të jetë më shumë sesa një deklaratë e pakuptimtë. Ne nuk po kërkojmë konflikt dhe se NATO mbetet garantuesi i sigurisë transatlantike. Rusia po ndërmerr veprime që synojnë minimin e themeleve të stabilitetit ndërkombëtar", tha ai.

Ndërkaq, të mërkurën në mbrëmje, hapësira ajrore mbi Berlin u mbyll për rreth 45 minuta të, pasi pranë pistës së Aeroportit Brandenburg u konstatua një dron i paidentifikuar. Operacionet e fluturimit u pezulluan përkohësisht dhe disa avionë u devijuan drejt Dresdenit. Sipas mediave gjermane, aeroporti i Berlinit ka regjistruar 28 raste të evidentimit të dronëve vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, krahasuar me tetë raste gjatë gjithë vitit 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos