
Kuvendi do të mblidhet sot, në orën 10:00, në seancë plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca urgjente të kërkuara nga deputetë të Partisë Demokratike.
Interpelanca e parë do të zhvillohet me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ndërsa e dyta me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Opozita kërkon të dijë nga ministri Jaupaj se çfarë po ndodh me 102 kontejnerë me rreth 2,816 tonë mbetje të klasifikuara si të rrezikshme dhe toksike, të cilat ndodhen ende në periferi të Durrësit. Ndërsa nga ministrja Kumbaro kërkon përgjigje për organizimin e kopshteve dhe çerdheve pasi sipas PD, janë bashkuar dhe kanë krijuar mbingarkesë të kapaciteteve duke arritur edhe në 70 fëmijë. Gjithashtu ngrihet çështja e mësimit me dy turne në shkollat e Sarandës dhe nëse ka një plan konkret për t’i dhënë fund kësaj problematike.
Një nga çështjet kryesore të seancës është shqyrtimi i projektligjit për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza.
Në rend dite është gjithashtu projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 17 shtatorit dhe njoftimet, ndërsa në fund do të zhvillohen diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Pritet që seanca e sotme të dominohet nga debatet për arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila akuzohet se ka ndarë informacione sekrete të shtetit dhe ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, gjatë kohës që ishte në arrati. (A2 Televizion)