POLITIKË /

Kuvendi mblidhet me 2 interpelanca në rend dite, jashtë godinës është paralajmëruar protestë

Shkruar nga Versus

Kuvendi mblidhet me 2 interpelanca në rend dite, jashtë godinës

Sot në orën 10:00 nis seanca plenare në Kuvend ku në rend dite janë 2 interpelanca të kërkuara nga PD me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Opozita kërkon informacione nga ministri Jaupaj se çfarë po ndodh me 10 kontejnerët me 2816 ton mbetje toksike që ndodhen prej vitesh tanimë në periferi të Durrësit. 

Ndërsa nga ministrja Kumbaro kërkohet përgjigje për organizimin e kopshteve dhe çerdheve pasi sipas PD, janë bashkuar dhe kanë krijuar mbingarkesë të kapaciteteve duke arritur edhe në 70 fëmijë. Gjithashtu ngrihet çështja e mësimit me dy turne në shkollat e Sarandës dhe nëse ka një plan konkret për t’i dhënë fund kësaj problematike.

Në rend dite janë edhe disa projektligje, mes të cilave ai për dërgimin e trupave ushtarake në Gaza. Ndërkohë jashtë Kuvendit, qytetarët që protestojnë prej 114 ditësh kanë paralajmëruar tjetër protestë për të shfaqur kundërshtinë ndaj qeverisë dhe klasës aktuale politike.

Rendi i ditës:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 24.9.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 17.9.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

5. Projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.

6. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike".

7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Versus.al

Poll