3 vite nga vrasja e oficerit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist në Banjskë, kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti thotë se institucionet e në Prishtinë nuk do të heqin dorë kurrë nga kërkesa për drejtësi. Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje që autorët të mbajnë përgjegjësi. Milan Radoiçiç që ka marrë përsipër autorësinë e sulmeve raportohet se ndodhet në Beograd ku nuk i është ngritur një akuzë zyrtare.  

U.D. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kryen homazhe tek varri i rreshterit të ndjerë që u vra në krye të detyrës. 

Kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti i cili ndodhet në SHBA, bëri një reagim në rrjetet sociale, ku siguron se institucionet nuk do të heqin dorë asnjëherë së kërkuari drejtësi. 

"Tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë një ditë. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar" tha Kurti

Në një reagim edhe ambasada amerikane në Prishtinë tha se autorët e Banjskës duhet të mbajnë përgjegjësi. 

"Bashkohemi me Kosovën për të nderuar zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator 2023. Ritheksojmë thirrjen tonë që autorët të mbahen përgjegjës" thuhet në postimin e Ambasadës. 

Apel të ngjashëm në Kosovë lëshuan edhe seli të tjera diplomatike perëndimore.  

Autori kryesor i ngjarjes dhe organizatori i vetëshpallur i Banjskës është Milan Radoiçiç, në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe që raportohet të ndodhet në Beograd, pa një akuzë nga drejtësia. 

Pas arrestimit të tij në tetor 2023, një gjykatë në Beograd urdhëroi lirimin e tij dhe i ndaloi largimin nga Serbia, ndërsa autoritetet serbe thanë se çështja do të trajtohej nga drejtësia vendase. 

Çështja e Radoiçiç mbetet një pikë mosmarrëveshjeje e fortë mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht lidhur me përgjegjësinë penale dhe ekstradimin e tij në Kosovë. 

Për banjskën, drejtësia kosovare ka dalë në përfundimin se aty u angazhua një grup prej 45 personash. 3 janë dënuar aktualisht në shkallën e parë ndërsa 42 të tjerë ndodhen në arrati.