BOTA /

Trump i kërcënoi me asgjësim, presidenti iranian në OKB: Nuk përulemi kurrë ndaj sulmeve tuaja frikacake

Shkruar nga Versus

Trump i kërcënoi me asgjësim, presidenti iranian në OKB: Nuk

Presidenti Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Irani nuk do të "gjunjëzohet" kurrë pas gati shtatë muajsh lufte me SHBA-në dhe Izraelin, por është i gatshëm për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Duke iu përgjigjur kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të "asgjësuar" Republikën Islamike nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje, ai i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: "Rezistenca e popullit iranian vetëm sa do të shtohet përballë sanksioneve, presionit në rritje dhe intimidimit."

Pezeshkian gjithashtu këmbënguli se çdo marrëveshje duhet të përfshijë dhënien fund të bllokadës amerikane që pengon anijet iraniane të përdorin një rrugë ujore kyçe në Gjirin Persik.

"Nuk mund të ndodhë që të gjithë të përfitojnë nga Ngushtica e Hormuzit, ndërsa neve na mohohet qasja," tha ai.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga SHBA-ja, delegacioni i së cilës u largua nga salla në fillim të fjalimit të Pezeshkianit. "Presidenti amerikan na cilësoi si terroristë. Ne kemi qenë viktima të terrorizmit," u shpreh presidenti i Iranit para OKB-së në Nju Jork.

Më pas, ai tregoi një fotografi të Udhëheqësit Suprem të ndjerë të vendit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra gjatë një goditjeje në rezidencën e tij kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një sulm të përbashkët në fund të shkurtit.

Ai gjithashtu prezantoi fotografi të disa prej më shumë se 175 civilëve dy të tretat e të cilëve fëmijë që sipas autoriteteve iraniane u vranë nga sulmet me raketa në një shkollë fillore në Minab dhe në një kompleks sportiv në Lamerd atë ditë. SHBA-ja ka mohuar të ketë goditur Lamerdin dhe ka deklaruar se po heton ende mbi atë që ndodhi në Minab.

"Populli ynë i pafajshëm ka qenë shënjestër e sulmeve frikacake dhe agresioneve të imponuara ndaj vendit tonë. Dhe ne u mbrojtëm me forcë maksimale," tha Pezeshkian. Versus.al

Poll