Mesfushori bjellorus paralajmëron Shqipërinë: E kemi studiuar, do të japim gjithçka
Mesfushori i Bjellorusisë, Valery Bocherov, ka folur për përballjen me Shqipërinë në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, duke vlerësuar kundërshtarët e grupit dhe veçanërisht skuadrën kuqezi.
Bocherov tha se stafi dhe lojtarët bjellorusë po studiojnë kundërshtarët e tyre, ndërsa theksoi se Shqipëria ka futbollistë që aktivizohen në kampionate të rëndësishme europiane.
“Sigurisht që po i ndjekim kundërshtarët tanë. Jam i interesuar të shoh edhe se ku luajnë lojtarët e tyre. Ndoshta shqiptarët spikasin më shumë, pasi luajnë në kampionate të mira. Kam parë lojtarë shqiptarë që aktivizohen në Itali”, u shpreh mesfushori bjellorus.
Megjithatë, Bocherov nuk preferoi të japë shumë detaje rreth mënyrës se si Bjellorusia do ta përballojë Shqipërinë, duke nënvizuar se të gjitha skuadrat e grupit janë të forta.
Përsa i përket sfidës së parë, mesfushori pranoi se Bjellorusia ka pasur probleme në ndeshjet hapëse të kompeticioneve të fundit. Sipas tij, një prej faktorëve është presioni që shoqëron takimin e parë.
“Ndonjëherë ndeshja e parë nuk shkon vërtet mirë. Gjithçka ka të bëjë me presionin dhe ndjenjën e përgjegjësisë për rezultatin. Mendoj se do të jemi mirë”, deklaroi ai.
I pyetur nëse futbollistët kanë nevojë për motivim të veçantë nga stafi teknik, Bocherov tha se për një ndeshje me kombëtaren nuk është e nevojshme një shtysë ekstra.
“Kur bëhet fjalë për kombëtaren, nuk kemi vërtet nevojë për motivim shtesë. Secili e kupton përgjegjësinë e vet dhe e di se si vendi, ashtu edhe tifozët, do të na mbështesin”, tha ai.

