Nga Genc Pollo*
Të thuash se kryeministri Rama duhet të dorëhiqet mbasi është ai që e emëroi Vlora Hysenin shefe të Shërbimit Informativ është si të merresh me gjurmën dhe jo me ujkun. Me gjithë rrethanat e dyshimta të emërimit, mbetet e vështirë, në mos e pamundur, të provohet synimi malinj në atë veprim.
Por Rama nuk bëri asgjë kur prej më shumë se një viti opozita e aktorë të tjerë denoncuan publikisht, probleme, shkelje madje edhe skandale nën përgjegjësinë apo me autorësinë e Vlora Hysenit; të ngjashme ose të njëjta me akuzat e djeshme të SPAK-ut. Një kryeministër normal e i papërlyer do të shqyrtonte apo edhe hetonte aktivitetin e të besuarve të tij në ofiqe shtetërorë përballë fajësimeve të rënda të shprehura periodikisht në Kuvend e në media. Në rastin e SHISH-it, kryeministri madje për këto raste ka Inspektorin e Përgjithshëm të shërbimit, të cilin e emëron vetë pa kundërfirmën e presidentit. Por Rama direkt e indirekt e mbrojti dhe e mbuloi Hysenin. Deri dje.
Sot, në çdo shtet normalo-demokratik kryeministri do të jepte jo vetëm sqarime konkrete, por edhe do të ofronte dorëheqjen për të rivendosur besimin në institucionet shtetërore.
Kur policia gjermano-perëndimore arrestoi në prill 1974 si spiun gjermano-lindor Günther Guillaume, këshilltarin e ngushtë të kancelarit Willy Brandt, ky i fundit edhe pse nuk kishte ditur gjë deri kur në momentin kur shërbimet e vunë në dijeni para arrestimit, mori përgjegjësinë me pasoja personale.
Në ato pak ditë midis arrestimit e dorëheqjes, asnjë parti në Bundestag nuk bëri fillimisht thirrje për largimin e kancelarit, por ai u fajësua për ngjarjen sidomos nga opozita; por menjëherë e me konsensus Bundestagu ngriti një komision hetimor për këtë çështje. Brandt e kuptoi situatën dhe u dorëhoq. Sot ai kujtohet me respekt jo vetëm nga socialdemokratët e tij, por nga publiku gjerë gjerman si udhëheqës me merita historike.
Në Shqipërinë e sotme, që ironikisht ka hapur negociata për 30 e ca kapituj, problemi më i madh nuk është skandali i Hysenit apo më herët i Gysit etj, etj.
Problemi është se në kushtet e regjimit autoritaro-kleptokratik janë mënjanuar, në mos asgjësuar, mekanizmat politikë, të cilat funksionojnë në një demokraci. Dhe kështu zgjidhja pritet e shpresohet të vijë nga rruga ose nga gjyqësori.
*President i Paneuropa-Shqipëri
© SYRI.net