TIRANË- Dy orë e gjysmë zgjati seanca në të cilën Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e dhënë në mungesë arrest në shtëpi, për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Ish-shefja e spiunazhit u paraqit në SPAK e shoqëruar nga një makinë policie, në mesditë. Rreth orës 14:30, ajo la ambientet e gjykatës, e shoqëruar nga një efektive grua, për t’u dërguar në banesë, ku duhet të qëndrojë e mbyllur.
Njëjtë si për mediat jashtë, edhe brenda në GJKKO Vlora Hyseni, siç konfirmojnë burimet për Report Tv, nuk ka folur asnjë fjalë para gjyqtares Flojera Davidhi, duke zgjedhur të mos japë sqarime në këtë fazë të procesit. Qëndrimet i mbajti avokati i saj Kastriot Selita, i cili kërkoi një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit shtëpiak.
Seanca zgjati rreth 2 orë e 30 minuta për shkak se mbrojtja ka kërkuar kohë të njohur me aktet e dosjes dhe provat mbi të cilat është mbështetur edhe gjykata për masën e arrestit.
Vlora Hyseni është person nën hetim, e dyshohet nga SPAK se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, edhe gjatë arratisë së tij 8 mujore, dhe i kanë vënë atij në dispozicion sekrete shtetërore.
Ajo është pyetur edhe përpara se gjykata t’i caktonte masën në mungesë, si person në dijeni. Më 18 shtator, Vlora Hyseni ka pretenduar se Ergys Agasi ishte bashkëpunëtor i saj në SHISH. Por, SPAK ka komunikime të vazhdueshme mes tyre, përfshirë biseda personale, e pretendon të kundërtën, se Agasi ishte furnizuar me informacione prej saj.
Ndërkohë, herët në mëngjes të enjten gjykata mbajti më vete seancën për Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në restorantin e vilave qeveritare në Durrës, u lanë në arrest në burg.
Efektivi Fatjon Kalluçi akuzohet për nxjerrje të sekretit shtetëror, dhe dyshohet se i ka dërguar Ergys Agasit në muajin gusht, para se të arrestohej, 3 foto të ekspertizës së makinës “Land Rover Defender” në pronësi të tij, që u sekuestrua gjatë kontrolleve në Equos Resort. Aty SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH, të cilat dyshohet se ia ka vënë në dispozicion Hyseni. Siç Agasi ka dëshmuar më herët para hetuesve, ai i la me qëllim në mjet dokumentet sekrete, në mënyrë që SPAK t’i gjente gjatë kontrolleve.
Kryekamerieri Sulejmani, akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, pasi gjatë arratisë i dërgonte Ergys Agasit ushqime në banesën ku qëndronte i fshehur, por edhe i rezervonte në lokal dhe ishte ai personi që kishte në dorë shërbimin për biznesmenin në kërkim. Vetë Sulejmani ka thënë se nuk e dinte se Agasi ishte person në kërkim.
Të dhënat janë zbuluar në telefonin e sekuestruar të Ergys Agasit, të cilin SPAK e akuzon për dosjen “Akshi”.
Vendimi i GJKKO
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Vlora Hyseni, qëndroi 2 orë në GJKKO në seancën për vlerësim e masës së sigurisë. Ish-drejtoresha e SHISH mësohet se nuk ka mbajtur asnjë qëndrim gjatë seancës. Ndërsa edhe pasi doli nga Gjykata, ku iu konfirmua masa e arrestit shtëpiak, ajo nuk bëri asnjë koment për gazetarët.






Komente
Komento