I ftuar në emisionin të mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv ishte nënkryetari i Partisë Demokratike Nikola Kedhi.
Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri ai ka komentuar situatën katastrofike me çmimet në Shqipëri.
Flavio Qarri: A janë shqiptarët që u vjen zor të pranojnë që janë të varfër dhe të protestojnë për atë, apo çfarë po ndodh.
Nikola Kedhi: Nuk është një kolpo e menjëhershme. Banka Botërore, Eurostati, kanë ngritur alarme prej vitesh për situatën në të cilën ndodhet vendi. Dhe mbi të gjitha e ndjejnë qytetarët shqiptarë përditë. Dhe kjo është një rritje graduale e çmimeve që kanë ndodhur në mënyrë të vazhduar në dekadën e fundit. Pse? Se ka të bëjë më modelin ekonomik që është ngritur. Në qoftë se ti e bazon të gjithë modelin tënd ekonomik, rritjen ekonomike, atë që është në letër të paktën, tek paratë e drogës që vijnë dhe pastrohen ne sektorin e ndërtimit apo në turizëm. Ndërkohë që bujqësia dhe industria, sektorët prodhues që duhet të mbanin ekonominë e vendit tonë janë në krizë. Kjo do të jetë pasoja.
Prodhimi industria në Shqipëri ka rënë më shumë se sa në të gjithë vendet e Evropës përveç Ukrainës që është në luftë.
Në Shqipëri 20 për qind e shqiptarëve janë në varfëri. 42 për qind janë në kushtet e përjashtimit social që do të thotë përballojnë vetëm gjërat më bazike më elementare ose shpenzojnë vetëm për këto gjera më elementare që janë për të jetuar.
Nuk i lejojnë vetes, as udhëtime, as pushime. Çmimet në Shqipëri janë 103 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, por për produktet bazike si veza apo djathin janë shumë më të shtrenjta.
Dhe këtu çmimet vijojnë e rriten, fuqia blerëse sa vjen dhe ulet. Pagat nuk e përballojnë dot këtë rritje masive të çmimeve. Dhe kemi këtë rezultat që kemi sot, që Shqipëria është e shpopulluar, ka një krizë demografike gjithashtu. Në të gjithë qarqet e vendit, lindshëmria sot është në momentet që flasim në 6 muajt e parë të vitit është negative. Vdekjet janë më shumë se lindjet. 1.1 milionë shqiptarë kanë ikur vetëm në zonën e Shengenit në këto 10 vite. Dhe jemi në një emergjencë kombëtare, sepse është një emergjencë ekonomike, një emergjencë demografike, kulturore, shoqërore politike në të gjitha aspektet.
Dhe ka vetëm një zgjedhje për këtë. Është një çrrënjosje e këtij modeli oligarkik, autokratik të mbajtur me paratë e drogës dhe të krimit dhe nisja e ndërtimit të një modeli për një Shqipëri prodhuese, të fokusuar tek prodhimi bujqësor, industrial. Gjithashtu me industrinë e lehtë, me uljen e taksave. Në edhe në vitin 2025 e kemi patur në program. Uljen e taksës së sheshte në 10 për qind që do të ishte një lehtësim i madh për të gjithë shqiptarët për të gjithë sipërmarrjen. Sepse në qoftë se ti i ul kostot sipërmarrjes, bizneseve, kjo do të reflektohet tek çmimi në fund...
© SYRI.net