Santi Mina dënohet me 4 vite burg, Gjykata e Lartë në Spanjë lë në fuqi vendimin
Gjykata e Lartë në Spanjë ka lënë në fuqi dënimin me katër vite burg ndaj futbollistit spanjoll Santi Mina, i dënuar për një çështje të agresionit seksual që daton në vitin 2017.
Mina, 30 vjeç, është shpallur fajtor për agresion seksual ndaj një gruaje, e cila e kishte akuzuar futbollistin për kryerjen e veprës penale. Ngjarja lidhet me periudhën kur Mina ishte pjesë e Celta Vigo.
Vendimi i raportuar nga gazeta AS konstaton se futbollisti kishte “shfrytëzuar afërsinë, befasinë dhe situatën në të cilën ndodhej viktima” për të kryer dy akte seksuale pa pëlqimin e saj.
Sipas gjykatës, Mina i ndërpreu veprimet kur kuptoi se për t’i vazhduar ato do t’i duhej të kapërcente rezistencën e viktimës përmes forcës.
Futbollisti kishte ndërmarrë disa hapa ligjorë për të kundërshtuar vendimin dhe kishte kërkuar pafajësi. Megjithatë, Gjykata e Lartë në Spanjë e ka rrëzuar kërkesën e tij dhe ka konfirmuar dënimin me katër vite burg.
Çështja ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në karrierën e Minës, e cila mori një goditje të fortë pas vendimit gjyqësor, ndërsa karriera e tij futbollistike u ndërpre në verën e vitit 2023.

