AKTUALITET, 24 September 2026, 09:22

Operacioni/ Me armë zjarri në shtëpi, 2 të arrestuar në Tiranë e Krujë! Sekuestrohen pistoletë, kallashnikov e shënjestër optike

Dy persona, një në Tiranë dhe një në Brret të Krujës, janë vënë në pranga nga policia për armëmbajtje pa leje.

 36-vjeçarit A.Zavalani në Tiranë i janë gjetur në shtëpi 1 pistoletë dhe 1 kallashnikov, fishekë, një shënjestër optike, 2 mjete prerëse dhe një peshore elektronike. 

 Të arrestuarit tjetër, F.Lika, 28 vjeç, i janë gjetur një armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike.

Të gjitha objektet e gjetura janë sekuestruar.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/Finalizohen në 24 orë, si rezultat i punës operative, 2 operacione për ndalimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje.

Sekuestrohen 3 armë, 17 kapsolla elektrike, municion luftarak, një shënjester optike, 2 mjete prerëse dhe 1 peshore elektronike.

Arrestohen 2 poseduesit e sendeve të kundërligjshme.

Si rezultat i shtimit të vigjilencës operacionale në të gjithë territorin e qarkut dhe intensifikimit të punës operative, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale që mund të kryhen nga shtetas që posedojnë ilegalisht, armë, u finalizuan në 24 orë, 2 operacione. Konkretisht:

-Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet  e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit të koduar “Qëllimi”, arrestuan shtetasin A. Z., 36 vjeç (me precedent penal), pasi iu gjetën në banesë, 2 armë zjarri (pistoletë dhe automatike), municion luftarak, një shënjester optike, 2 mjete prerëse dhe 1 peshore elektronike;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit të koduar “Kontrolli”, arrestuan shtetasin F. L., 28 vjeç, në banesën e të cilit, në fshatin Brret, u gjetën 1 armë gjahu, 84 fishekë dhe 17 kapsolla elektrike, që posedoheshin pa leje.

Vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar përfshirjen e 2 shtetasve të arrestuar, në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.