Bota

Nafta mbi 100 dollarë shtyn lart kostot e borxhit!

Tregjet globale të obligacioneve po përballen me një valë të re shitjesh, ndërsa çmimet e larta të naftës kanë rikthyer shqetësimet për inflacionin dhe norma më të larta interesi.

Megjithatë, në kontrast me presionin në tregjet e vendeve të zhvilluara, ekonomitë në zhvillim po vijojnë të tërheqin investitorë dhe të marrin hua në tregjet ndërkombëtare në nivele rekord.

Shitjet e obligacioneve janë përhapur në tregjet globale, me naftën që vijon të qëndrojë mbi 100 dollarë për fuçi.

Rritja e yield-eve po shton njëkohësisht kostot e financimit të qeverive, në një periudhë kur shumë prej tyre kanë nivele të larta borxhi dhe nevoja të mëdha për huamarrje.

Në SHBA, yield-i i obligacionit 10-vjeçar të Thesarit ka kaluar këtë muaj nivelin 5%, një prag që për vite ishte konsideruar si pikë kritike për tregjet financiare. Investitorët tashmë po diskutojnë mundësinë që yield-et të lëvizin drejt 6%.

Një rritje e tillë do të nënkuptonte një rivlerësim të ndjeshëm të kostos globale të kapitalit, pasi tregu amerikan i obligacioneve të Thesarit, me vlerë rreth 29 trilionë dollarë, shërben si pikë referimi për çmimin e aktiveve financiare në të gjithë botën.

Presioni është përhapur edhe jashtë SHBA-së. Në mesin e shtatorit, yield-i mesatar i obligacioneve 10-vjeçare të vendeve të G7 arriti në 4.285%, niveli më i lartë që nga viti 2008 dhe rreth një pikë përqindje më shumë se përpara fillimit të luftës me Iranin.

Rritja e çmimeve të energjisë ka ushqyer pritshmëritë për inflacion dhe ka shtyrë bankat qendrore drejt një politike monetare më të shtrënguar.

Por, ndërsa borxhi i vendeve të zhvilluara po përballet me shitje, tregjet në zhvillim kanë treguar një rezistencë të pazakontë ndaj goditjeve globale. Lufta me Iranin, rritja e normave të interesit dhe forcimi i dollarit nuk e kanë ndalur valën e huamarrjes së qeverive të vendeve në zhvillim në tregjet e huaja.

Të dhënat e Institute of International Finance, tregojnë se investitorët e huaj kishin kanalizuar 214.4 miliardë dollarë në borxhin e tregjeve në zhvillim deri në korrik 2026, nga 177.7 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm gjatë korrikut, qeveritë e këtyre vendeve emetuan rreth 19 miliardë dollarë obligacione, dyfishi i mesatares së muajit korrik gjatë dekadës së fundit. Emetimet që nga fillimi i vitit arritën në atë moment një rekord prej 187 miliardë dollarësh.

Rezistenca e tregjeve në zhvillim lidhet edhe me ndryshimet që shumë prej këtyre ekonomive kanë bërë pas krizave të mëparshme.

Forcimi i rezervave valutore, rritja e pavarësisë së bankave qendrore dhe zgjerimi i tregjeve vendase të kapitalit kanë ulur ekspozimin ndaj lëvizjeve të menjëhershme të investitorëve të huaj. Pakistanit, Ganës, Ekuadorit, Nigerisë dhe Argjentinës u janë përmirësuar gjithashtu vlerësimet e kreditit.

Një tjetër ndryshim është zgjerimi i financimit në monedhën vendase. Obligacionet sovrane në monedhat vendase të tregjeve në zhvillim arrinin rreth 13 trilionë dollarë në fund të vitit 2024, krahasuar me rreth 1.4 trilionë dollarë borxh sovran ndërkombëtar në valutë të fortë, sipas të dhënave të JPMorgan dhe UBS. Kjo ka krijuar një bazë më të madhe investitorësh vendas që mund të amortizojë goditjet nga tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, rritja e yield-eve amerikane po shton rreziqet. Normat më të larta të obligacioneve të Thesarit amerikan mund të forcojnë dollarin, të tërheqin kapitalin drejt aktiveve amerikane dhe të rrisin koston e shërbimit të borxhit në dollarë për vendet në zhvillim.

Reuters raportoi më 24 shtator se gjatë javës së fundit fondet e obligacioneve të tregjeve në zhvillim regjistruan daljet më të mëdha të kapitalit në disa muaj dhe emetimet e reja sovrane gjatë shtatorit ishin më të ulëta se zakonisht./Monitor