
Një avion ushtarak i Forcave Ajrore Mbretërore britanike u rrëzua të mërkurën pranë banesave në Anglesey, në veri të Uellsit, ndërsa dy pilotët që ndodheshin në bord arritën të katapultohen dhe të shpëtojnë me lëndime të lehta.
Avioni i tipit Hawk T2, i përdorur për trajnimin e avancuar të pilotëve, u ngrit nga baza RAF Valley, por hasi probleme pak pas ngritjes. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e rrëzimit pranë banesave, duke shpërthyer në flakë. Dy pilotët u dërguan në spital dhe sipas autoriteteve pësuan vetëm lëndime të lehta.
Shërbimet zjarrfikëse dhe ekipet mjekësore ndërhynë në vendngjarje, ndërsa zjarri u vu nën kontroll brenda pak orësh. Autoritetet u kërkuan banorëve të shmangnin zonën gjatë operacioneve.

Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe është nisur një hetim. Burime të mbrojtjes, të cituara nga mediat britanike, kanë ngritur dyshime se mund të ketë pasur një problem me kontrollet e avionit.
Pas aksidentit, RAF njoftoi pezullimin e përkohshëm të operacioneve me avionët Hawk T1 dhe T2, si masë paraprake, deri në përfundimin e hetimeve.
Hawk T2, i prodhuar nga BAE Systems, përdoret nga RAF për përgatitjen e pilotëve për misione dhe situata komplekse taktike. (A2 Televizion)