I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, eksperti i arsimit Alfred Halilaj ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën se si është paraqitur situata e arsimit në Shqipëri.
Halilaj deklaroi se përjashtimi nga raporti PISA i shkollave me më pak se 21 nxënës, kryesisht në zonat rurale, deformon pasqyrën reale të sistemit arsimor.
“Në vend që të jemi të vërtetë dhe të prekim realitetin, gjëja e parë që bëjmë është manipulojmë”, tha ai, duke e lidhur këtë me politikat e ndjekura nga Ministria e Arsimit dhe qeveria.
Eksperti tha se politikat arsimore të qeverisë janë përqendruar te zonat urbane, veçanërisht te Tirana, ndërsa zonat rurale janë lënë pas.
Ai deklaroi se nxënësit e shkollave rurale janë 1.5 deri në 2 vite prapa në raport me nxënësit e shkollave urbane.
Eksperti kritikoi gjithashtu rezultatet në lexim dhe zhvillimin e mendimit kritik, duke argumentuar se problemet e arsimit janë pasojë e politikave të ndjekura ndër vite dhe se gjendja e sistemit arsimor reflektohet edhe në shoqërinë dhe politikën shqiptare.
Pjesë nga intervista:
Së pari, ky është një raport që zhvillohet një herë në 4 vite, maten njohuritë dhe kompetencat e nxënësve 15-vjeçarë. Tashmë, në këtë raport përfshihen 91 vende dhe është një raport shumë i rëndësishëm, pasi përcakton të ardhmen e nxënësve dhe pak a shumë aftësitë, kompetencat e tyre dhe ajo çfarë janë ata sot do të thotë se cila do të jetë aftësia e tyre.
Dhe në këtë kuadër, meqenëse jemi në Kafe Shqeto, po ta shikosh gjendjen e politikës shqiptare, tregon se çfarë është mbjellë nga viti 2013 e këtej.
Do të thotë se ajo pasqyrë e politikës është, në fund të fundit, rezultante e politikave vetë të ndërmarra në sistemin arsimor, sepse ne nuk mund të pretendojmë të kemi një qeverisje demokratike dhe një vend që qeveriset në mënyrë demokratike, pa pasur një shkollë, një shkollë që qeveriset në mënyrë demokratike dhe pa pasur një qeveri, e cila i merr aftësitë e veta në edukim.
Tashmë, për t’iu kthyer raportit PISA, ne shikojmë me keqardhje që, në vend që të jemi të vërtetë dhe të prekim realitetin, gjëja e parë që bëjmë është manipulojmë dhe kjo tregon se kemi një gjë për të fshehur, sepse nëse ti nuk ke diçka për ta fshehur, s’ke pse e manipulon dhe ballafaqohesh me të.
Do të thotë, të gjitha shkollat të cilat ishin me më pak se 21 nxënës nuk u përfshinë në raportin PISA.
Se kush ishin këto shkolla, këto shkolla ishin pikërisht ato shkolla që lidhen me zonat rurale të Shqipërisë, të cilat tregojnë realitetin e shkollave shqiptare, sepse Ministria e Arsimit dhe Kryeministri kanë parasysh vetëm shkollat e Tiranës kur bëjnë dhe hartojnë politika dhe nuk kanë parasysh tërë Shqipërinë. Sigurisht, ata mendojnë se, duke qenë kjo politikë e grumbullimit të të gjithë shqiptarëve në rajonin Tiranë-Durrës, është politika e duhur, por në fakt është alarmant fakti që në shkollat rurale sot që flasim, nxënësit janë 1.5 deri në 2 vite prapa në shkollim, në raport me shkollat urbane.
Pikërisht për këtë arsye, këto shkolla janë përjashtuar nga raporti i PISA-s, në mënyrë që rezultatet të jenë këto që janë.
Por, po ta vërejmë me kujdes tabelën që pate ju aty, është tabela që ne tregojmë që nuk mund të kalojmë dot as vitin 2018, sepse, me gjithë manipulimin e shifrave dhe po të shikojmë, ne ruajmë një trend në matematikë. Është shkolla shqiptare, e ka një traditë në matematikë dhe ajo mbetet një bazë e fortë e jona, por nuk kemi kaluar sot në 2018 dhe kemi probleme të mëdha në atë që është, po them, problem kryesor i raportit sot në botë, që është leximi, aftësia për të lexuar.
Aftësia për të lexuar nuk është thjesht për të lexuar, por është aftësia për të pasur mendim kritik. Në kushtet e teknologjisë së informacionit dhe të këtij revolucioni digjital, aftësia kritike është themeli për t’u përballur me të.
Shumë elemente të organizimit të jetës i bëjmë përmes IA-së.
Aftësua kritike lidhet me pyetjen.
Ne mund të marrim shumëçka permës një kliku, por nuk zëvendësojmë dot pyetjen.
Mendimi kritik vjen nga aftësia për të lexuar, kështu që edhe për një çështje tjetër, po ta them pak edhe në planin kombëtar. Shqipëria, në këtë kuadrin e përgjithshëm të shkencës, pika jonë e fortë është albanologjia. Ne nuk mund të promovojmë gjithçka, në albanologji kemi pikën më të fortë dhe mund të prezantohemi në botë. Me rënien e aftësisë për të lexuar, është rrjedhojë e rënies së kërkesës për të lexuar, që është rrjedhojë e rënies së kërkesës për mësues në fushën e gjuhës dhe letërsisë, tregon që edhe në këtë fushë, në atë çka prezantojmë në shoqëri, kemi dhe do të kemi një rënie drastike.
© SYRI.net