I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, aktivisti Ardesian Binjakaj denoncoi rritjen e kostos së jetesës në Shqipëri, duke e cilësuar çmimin e produkteve bazë si një nga problemet kryesore që rëndon sot familjet shqiptare.
Binjakaj tha se Shqipëria vijon të mbajë TVSH-në 20 për qind për produktet bazë, ndërsa vende të tjera të rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë ndërmarrë masa për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët.
Ai tha se rritja e çmimeve është e prekshme çdo ditë nga qytetarët, ndërsa ushqimet zënë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve mujore të familjeve.
Binjakaj u ndal edhe te rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe te kursi i këmbimit, duke ngritur pikëpyetje se përse çmimet e produkteve të importuara nuk kanë reflektuar forcimin e lekut ndaj euros.
Ai kritikoi edhe idenë e krijimit të një portali për të informuar qytetarët mbi çmimet më të ulëta, duke e konsideruar këtë një masë që nuk prek problemin kryesor.
Aktivisti theksoi se ndërhyrja duhet të nisë nga politika fiskale dhe veçanërisht nga TVSH-ja, e cila rëndon drejtpërdrejt mbi xhepin e qytetarëve.
Pjesë nga intervista:
Ideja është që Shqipëria aktualisht është një nga vendet më të shtrenjta në rajon, për sa i përket kostos së jetesës minimale dhe jemi i vetmi në Ballkan që nuk ka implementuar asnjë politikë për të lehtësuar pjesën e kostos së jetesës. Pra, vende si Maqedonia, Kosova kanë ulur TVSH-në bazë në shportën bazë, kurse Shqipëria vazhdon mban atë 20 përqind.
Erion Braçe ka shumë, shumë gjëra në parlament, premtimet e fushatës janë një gjë dhe se sa u rëndos xhepi i qytetarëve mesatarë është gjë tjetër. Këto nuk janë gjëra që duhet të mbahen premtime fushate dhe nuk janë absolutisht çështje që duhet të luhen në të.
Në kostot dhe të ardhurat e tija, duke parë faturën, duke bërë pazare, duke parë që nga 2021 çmimet e perimeve janë rritur me 60 përqind, çmimi i qumështit, vezës, djathit janë rritur me 50 përqind, është diçka që shqiptarët e ndjejnë.
Është diçka shumë e lehtë e provueshme, pra njerëzit shkojnë çdo ditë në dyqan dhe në market dhe e shohin lehtësisht që çmimi i qumështit nuk është i njëjtë, pavarësisht statistikave që ne mund të bëjmë në prapaskenë, një shqiptar mesatar e ka shumë të lehtë ta shohë duke e përjetuar.
Ideja është që është një peshë madhore e shqiptarëve, jo vetëm peshë madhore, por zë një të tretën vetëm të ushqehesh, zë një të tretën e kostove mujore.
Në vendet europiane, mesatarisht e kanë 10, 12 përqind të kostos totale, por në Shqipëri, dmth kemi dhe faktorin e kursit të këmbimit. Edi Rama tha para pak kohësh se është forcuar leku dhe për këtë arsye ka rënë euroja. Ideja është që, nëse euroja me të vërtetë është duke u zhvlerësuar kundrejt lekut, atëherë përse çmimet e të gjitha pazareve që ne i importojmë ato nuk kanë lëvizur fare, përkundrazi janë rritur. Kjo është një problematikë që ka nevojë të zgjidhet.
Mos gaboj, ministrja e Ekonomisë tha se donte të hapte një portal në të cilin të vendosi dhe të shpjegojë se ku çmimet e ushqimeve janë më të lira, në mënyrë që të jetë më transparente.
Por kjo është një fasadë, kjo nuk përbën asnjë problem, problematika e vërtetë kryesore e para është TVSH-ja, është 20 përqind e kostos e asaj që blejmë.
© SYRI.net