Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka folur për mediat këtë të enjte në hyrje të Kuvendit, ku ka komentuar rastin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni ndaj së cilës u caktua masa e arrestit në burg.
Ai është shprehur se përgjegjësia politikë është marrë, ndërsa për përgjegjësinë penale ka theksuar se duhet të pritet përfundimi i procesit. Po ashtu, Gogu është shprehur se qeveria e ka shkarkuar Hysenin për shkak të akuzës dhe ka garantuar vijimësinë e institucioni.
“Përgjegjësia politike është marrë, në krye të SHISH ka një drejtues të ri derisa të ketë një drejtues përfundimtar. Përgjegjësia penale është individuale, individët kanë përballë proceseve. Qeveria e shkarkoi drejtuesin për shkak të akuzës dhe siguroi vazhdimësinë e institucionit. Për sa i përket se çfarë ka ndodhur në institucion duhet të presim të gjithë procesin. Përgjegjësia politike është kur ti merr drejtimin që institucioni të vazhdojë të bëjë punën”, tha Gogu.
