Arrestimi i Vlora Hysenit, PD kërkesë Peleshit: Ndrysho rendin e ditës, Rama të japë llogari për situatën në SHISH

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare të 24 shtatorit, duke kërkuar që në Kuvend të zhvillohet një debat për situatën e krijuar në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH).
Në kërkesën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkohet heqja nga rendi i ditës e dy interpelancave urgjente me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe shtimi i një pike të re: “Kontroll dhe debat parlamentar me Kryeministrin Edi Rama lidhur me situatën e rëndë në Shërbimin Informativ Shtetëror”.
Kërkesa e opozitës vjen pas vendimit për caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Hyseni akuzohet për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “nxjerrjen e sekretit shtetëror”.
Për të është caktuar seanca në GJKKO për marrjen në pyetje ditën e sotme, në orën 12:00.
Në dokumentin drejtuar Kuvendit, PD argumenton se çështja duhet të trajtohet përmes kontrollit dhe debatit parlamentar, duke e konsideruar situatën me interes të lartë publik dhe të lidhur me sigurinë kombëtare.
“Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të qëndrojë indiferent dhe ta trajtojë këtë çështje si një veprimtari të zakonshme hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së.

Opozita kërkon gjithashtu që Kryeministri Edi Rama të japë informacion dhe shpjegime mbi përgjegjësinë institucionale lidhur me emërimin e Hysenit në këtë detyrë, duke kërkuar që Kuvendi të shqyrtojë edhe masat që duhen marrë për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.

PD kërkon që ndryshimi i rendit të ditës të miratohet për seancën plenare të 24 shtatorit, me qëllim zhvillimin e debatit parlamentar me Kryeministrin për situatën në SHISH.
Ndërkohë, në GJKKO ditën e sotme po mbahet seanca edhe për dy të arrestuarit e tjerë Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndaj të cilëve është caktuar masa “arrest në burg.”




