Pak para nisjes së seancës plenare, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri me dije se më 30 shtator publikohen ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të hartuara në bashkëpunim me Këshillin e Europës, pas një studimi mbi paraburgimin në Shqipëri.
Gogu tha se bëhet fjalë për një nga paketat më të rëndësishme të ndryshimeve në Kod që prej miratimit të tij, pas rekomandimeve të Këshillit të Europës, por edhe pas një dekade reformash në sistemin e drejtësisë.
Sipas Gogut, ndryshimet do të trajtojnë çështje që lidhen me përcaktimin e masave të sigurimit, të drejtat e palëve në proces, aksesin në prova, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë dhe publicitetin e seancave.
Në datën 30 shtator, ne publikojmë së bashku me KiE-në korpusin më të madh të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që nga miratimi i tij.
Kjo vjen si pasojë e ndryshimeve që KiE-ja ka bërë për sa i përket paraburgimit në Shqipëri, por edhe pas 10 vitesh reformë të shtetit të së drejtës.
Është momenti për t’u rikthyer dhe për të parë. Korpusi është shumë i rëndësishëm. Bëhet fjalë për masat e sigurimit. Kemi një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë.
Në bashkëpunim me KiE-në, do të shikojmë caktimin e masave të sigurimit, si dhe të drejtat e palëve në proces, mundësinë për të parë provat, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë dhe publicitetin që ka një seancë.
Është një korpus shumë i rëndësishëm. Fuqia e shtetit të së drejtës duhet të jetë aty dhe garancitë e individit të fuqizohen.
Më 30 shtator do të jenë në tryezë me ne drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, përfaqësuesit e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, shoqëria civile, së bashku me median dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ministri theksoi se synimi është forcimi i garancive për individin, duke ruajtur njëkohësisht funksionimin dhe autoritetin e shtetit të së drejtës.