Në trevjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka përkujtuar atë përmes një postimi.
Të lidhura
None found
Sveçla shkroi se tri vjet më parë Kosova u ndesh me atë që ai e cilësoi si “sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës”, i cili sipas tij u organizua dhe u mbështet nga aparati shtetëror i Serbisë, njofton Klankosova.tv.
“Tre vite më parë, Republika jonë u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës, të organizuar dhe të mbështetur në të gjitha aspektet nga aparati shtetëror i Serbisë. Në mbrojtje të ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë, atë ditë ra në krye të detyrës Rreshteri Afrim Bunjaku”, ka shkruar ai.
Ministri vlerësoi gjithashtu angazhimin e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur, duke theksuar se institucionet e vendit mbrojtën territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues.
Sidoqoftë, sipas tij, procesi i drejtësisë për vrasjen e Afrim Bunjakut ende nuk ka përfunduar.
“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka shkruar Sveçla.
Ai shtoi se sakrifica e Afrim Bunjakut do të kujtohet dhe nderohet përherë.
“Përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij, e cila do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.
