Në GJKKO, nisi seanca për verifikimin e masës së sigurimit dhe marrjen në pyetje të Fatjon Kalluçit e Embro Sulejmanit, të arrestuar në kuadër të një procedimi penal që lidhet me dyshimet për përkrahjen e Ergys Agasit gjatë kohës kur ishte në kërkim lidhur me dosjen AKSHI.
Sipas të dhënave të hetimit, Fatjon Kalluçi, me detyrë shef i Policisë Shkencore, dyshohet se në muajin gusht, para arrestimit të Agasit, i dërgoi atij foto të ekspertizës së një automjeti “Land Rover Defender”, të gjetur në ambientet e një resorti privat.
Ndërkohë, Embro Sulejmani, i cili mbante detyrën e kryekamarierit, dyshohet se i dërgonte ushqime në banesën ku Agasi qëndronte i fshehur.
Të dhënat për këto veprime, sipas hetuesve, u zbuluan në telefonin e Agasit.
Në seancë, avokatët pritet të kërkojnë shpalljen e moskompetencës së GJKKO-së, ndërsa do t’i kërkojnë gjykatës edhe kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Ndërkohë, po sot, në orën 12:00, është planifikuar edhe seanca për marrjen në pyetje të ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni.