Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim me tone të forta në seancën e sotme plenare, duke e vendosur në qendër të deklaratave të tij zhvillimet që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, dhe hetimet e SPAK për Ergys Agasin.
Berisha e cilësoi seancën e sotme si më të turpshmennë historinë e Parlamentit, ndërsa akuzoi se Kuvendi është kthyer në atë që ai e quajti “parlamenti i Ergys Agasit”.
“Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi”, deklaroi Berisha.
Duke iu referuar hetimeve dhe materialeve të bëra publike, kreu i PD-së ngriti akuza të rënda ndaj ish-drejtueses së SHISH, duke pretenduar se ajo ka bashkëpunuar me një grup kriminal dhe se përmes detyrës së saj janë cenuar sekretet e shtetit.
“Çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit”, u shpreh Berisha, duke shtuar se, sipas tij, Ergys Agasi kishte fituar një fuqi të jashtëzakonshme përmes mbështetjes politike.
Berisha riktheu edhe akuzat e tij të mëparshme ndaj Agasit, të cilin e cilësoi si mafiozin më të rrezikshëm të Evropës, duke pretenduar se ai kishte kontroll mbi struktura kriminale, komunikimet në internet dhe informacione sekrete shtetërore.
Sipas Berishës, emërimi i Vlora Hysenit nga Edi Rama ishte bërë jashtë kritereve dhe se ajo kishte pasur një rol të dyfishtë.
“E kam deklaruar në atë kohë, e deklaroj edhe sot, ajo ishte një shërbëtore e Vuçiçit dhe Edi Ramës”, tha Berisha. “Në këtë rast, tragjike është se është shembur piramida e sigurisë”, shtoi ai.














