Shtyhet sërish procesi, Kryemadhi: Meta mbahet peng, dosja rrotullohet rreth meje

Nga A2 CNN
24 Shtator 2026, 10:46 | Kronikë

Procesi “Meta-Kryemadhi” u shty për në 1 tetor për shkak të mungesës së një prej gjyqtareve të çështjes. Pasi doli nga Gjykata, Kryemadhi tha se shtyrjet dëmtojnë Ilir Metën që ndodhet në qeli, pas shtyhen afatet e paraburgimit.

“Pra në një farë mënyrë ai është i marrë peng pa bërë asgjë, sepse dosja rrotullohet rreth meje”, tha Kryemadhi. “Ndërkohë që njerëz të tjerë që janë të akuzuar për grup të strukturuar kriminal gjykohen në arrest shtëpie apo në liri”.

“E patë si ishte bërë si pikëpyetje”, shtoi Kryemadhi për ish-Drejtorin e Policisë, Ilir Proda. “Kur arrestoi Metën qeshte, bëri edhe video për të treguar si e arrestuan”.

Ndonëse shkak për shtyrjen e seancës Meta-Kryemadhi u bë mungesa e gjyqtares, avokati i ish-presidentit, prezent në sallë ka pohuar se do t'i qëndronte bojkotit të miratuar nga Dhoma e Avokatisë.

Avokati është shprehur se po të mos ishte bojkoti, do ta përfaqësonte klientin e tij. Vetë Meta, është shprehur se situata nuk ishte krijuar as për shkak të tij e as të avokatit.

“Dua të nënvizoj vullnetin tim për të vazhduar procesin. Avokati im gjendet përballë një konflikti mes gjykatës dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ai nuk mund të rrezikojë licencën e tij. Nëse ndërroj avokatin, 55 fashikujt që mora do të më kushtojnë edhe më shumë kohë për të kryer mbrojtjen", është shprehur Meta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos