Bordi i Paqes prezanton planin 2.45 miliardë dollarësh për rindërtimin e Gazës
Bordi i Paqes i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump ka prezantuar një plan prej 2,45 miliardë dollarësh për fazën e parë të rimëkëmbjes së Gazës. Plani u bë publik gjatë një takimi në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas planit, fondet do të shpërndahen në 66 programe gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe do të përdoren për nevoja urgjente, përfshirë strehimin, prodhimin e energjisë me naftë dhe largimin e mbetjeve.
Megjithatë, Bordi i Paqes pranon se nevojiten kontribute të tjera financiare. Deri tani janë premtuar rreth 18 miliardë dollarë, por vetëm 280 milionë dollarë janë transferuar. Sipas vlerësimeve të bordit, rindërtimi dhe rimëkëmbja e plotë e Gazës do të kërkojnë rreth 71.4 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Jared Kushner, dhëndri i Trump-it dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv për Gazën, pranoi se procesi është përballur me vonesa. Ai tha se qëllimi i takimit ishte të dëshmohej angazhimi i plotë për projektin.
I dërguari amerikan Steve Witkoff tha se gjatë vitit të fundit është bërë përparim i dukshëm, duke përmendur armëpushimin dhe përpjekjet humanitare.
Plani përballet me sfida të rëndësishme, veçanërisht për sigurinë e personelit, qeverisjen e Gazës dhe gjetjen e një konsensusi mes zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë.
Sipas anëtarit të bordit Michael Eisenberg, përpara rindërtimit duhet të hiqen municionet e pashpërthyera dhe të trajtohet rrjeti i tuneleve nën Gaza.
Bordi i Paqes është pjesë e planit 20-pikësh të Trump-it për Gazën. Hamas ka shprehur gatishmëri për çarmatimin, me kushtin që Izraeli të ndalë operacionet ushtarake dhe të tërheqë forcat nga territori. Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se ushtria do të qëndrojë në Gaza derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht.

