Ka përfunduar seanca e masës së sigurisë për zyrtarin e policisë Fatjon Kalluçin dhe menaxherin e Kodrës së Kuajve, Embro Sulejmanin në GJKKO. Ndaj të dyve u la në fuqi masa e sigurisë arrest me burg pasi dyshohet se kanë ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati dhe kërkohej nga SPAK.
Sulejmani i çonte ushqim dhe fshinte kamerat e sigurisë në lokalin e vilave qeveritare në Durrës ku hynte Agasi. Ndërsa Kalluçi duke përdorur postin e tij si shef i laboratorit shkencor të policisë i tregonte Agasit për ekspertizat shkencore të automjetit të tij dhe të telefonave të ndryshëm.
Të dy ata i kanë mohuar akuzat në seancë. Sulejmani është shprehur se vetëm i kishte dërguar ushqim dhe se nuk e dinte se çfarë krimi kishte bërë.
Ndërsa Kalluçi ka thënë se nuk mbante mend që t’i kishte çuar Agasit informacione. Por sipas të dhënave të bëra publike në kuadër të hetimit, Fatjon Kalluçi, në detyrën e shefit të Policisë Shkencore, dyshohet se në muajin gusht, përpara arrestimit të Agasit, i ka dërguar atij tre foto të ekspertizës së automjetit tip “Land Rover Defender”, me targë GG444AA, i cili ishte gjetur në “Equos Resort”. Konkretisht brenda automjetit të Ergys Agasit u gjetën 9 dokumente të SHISH, që ekspertiza e të cilave po ashtu sipas SPAK përfunduan tek Ergys Agasi nëpërmjet Fatjon Kalluçit. Versus.al

