Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rishikuar me rritje parashikimin për ekonominë shqiptare për vitin 2026, në një kohë kur perspektiva për një pjesë të ekonomive ku operon banka është përkeqësuar. Raporti periodik “Perspektiva Rajonale Ekonomike” publikuar këto ditë, BERZH parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë të zgjerohet me 3.5 për qind gjatë këtij viti, ose 0.1 pikë përqindjeje mbi parashikimin e publikuar në qershor. Për vitin 2027, pritshmëritë mbeten të pandryshuara, me një rritje ekonomike po 3.5 për qind. Rishikimi pozitiv për Shqipërinë vjen në një panoramë më të përzier për Ballkanin Perëndimor. BERZH pret që ekonomitë e rajonit të rriten mesatarisht me 3 për qind në vitin 2026, për t’u përshpejtuar në 3.5 për qind në vitin 2027. Sipas BERZH, aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor u ngadalësua nga 3.7 për qind në vitin 2024 në 2.6 për qind në 2025, por u përshpejtua përsëri në 3.4 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026.