Ka disa ditë që ka shpërthyer skandali i madh i bashkëpunimit të Shërbimit Sekret shqiptar me bandat dhe krimin, duke vënë në rrezik jo vetëm sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe atë të vendeve aleate të NATO-s.
Është marrë masë ndalimi për ish-shefen e SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila, sipas akuzave të bëra publike, gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në shërbim të bandave dhe koordinatorëve të Edi Ramës me krimin e organizuar dhe jo në përmbushje të detyrës për të cilën është emëruar.
Një skandal i përmasave të tilla rrallë është dëgjuar në botë: që të arrestohet në detyrë shefja e një shërbimi sekret dhe, mbi të, të rëndojnë akuza të rënda, të cilat mund edhe të shtohen gjatë hetimit.
Por, për të sqaruar opinionin publik, në mediat e ditës dhe në rrjetet sociale, SPAK-u ka bërë publike disa mesazhe të komunikimeve mes Agasit dhe Hysenit, të cilat nuk duket se kanë lidhje me thelbin e çështjes dhe me të vërtetat e hidhura për të cilat duhet të shqetësohet seriozisht shteti shqiptar, që tashmë, sipas kritikëve të qeverisë, është rrëzuar përdhe.
“Zemër, shpirt, fli i qetë, të dua”, dhe një numër thirrjesh e pasthirrmash janë bërë tashmë publike, duke krijuar përshtypjen se po tentohet të largohet vëmendja e opinionit publik shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar, nga një çështje që, sipas kësaj qasjeje kritike, i kalon të gjithë skandalet e deritanishme të një qeverie që akuzohet për lidhje me bandat, krimin dhe trafikun e drogës, duke kaluar nga një skandal në tjetrin.
Pra, SPAK-u, struktura që duhet të hetojë krimin dhe lidhjet e zyrtarëve me të, deri tani, në publik, na ka treguar se ka arrestuar disa persona që e duan çmendurisht njëri-tjetrin. Por njëri është në arrest për problemet me AKSHI-n, ndërsa tjetra është vendosur në arrest sepse, sipas mesazheve të publikuara deri tani, paska dashur shumë këtë të fundit.
Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si SPAK-u po e komunikon çështjen. Ata duhet t’u tregojnë shqiptarëve përse Vlora Hyseni është nën arrest dhe të shpjegojnë qartë se çfarë po fshihet pas përpjekjeve për të krijuar një narrativë të intimitetit njerëzor dhe jo të asaj që kritikët e kanë cilësuar si një çështje me implikime të sigurisë kombëtare.
Bëhet fjalë për një institucion, shefja e të cilit u caktua, sipas kritikëve, direkt me urdhër të Ramës, edhe pse në Kosovë kishte raporte që e lidhnin atë me bashkëpunimin me Serbinë.
Pra, SPAK-u thjesht duhet të jetë më i qartë kur përdor mediat apo rrjetet sociale për të komunikuar rreth një çështjeje të tillë. Edhe nëse këto komunikime përdoren për të shtuar elemente në dosje, duhet të bëhet kujdes që të mos krijohet te qytetarët perceptimi: “Hajt mo, se një aferë seksuale paska qenë...”.
Ose, në të kundërt, të qepin gojën./av.ne/
© SYRI.net