Revolta e Fatmir Mediut: Ka rënë piramida e sigurisë kombëtare. Vetingu që s'bënë Rama dhe Begaj

Nga A2 CNN
24 Shtator 2026, 11:57 | Politikë

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi në Kuvend se ka rënë piramida e sigurisë kombëtare dhe që çështja e drejtimit të SHISH-it, të trajtohet me seriozitet.

Gjatë fjalës së tij në kuvend, Mediu tha se përgjegjësia për verifikimin e drejtuesit të SHISH-it nis me kryeministrin, i cili e propozon, dhe vijon me Presidentin e Republikës, i cili e emëron.

Sipas tij, çështja duhet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve dhe që Kuvendi të marrë informacion nga kryeministri, Presidenti dhe SHISH lidhur me përzgjedhjen, verifikimin dhe largimin e ish-drejtueses së shërbimit.

Ai kërkoi gjithashtu sqarime mbi arsyet e largimit të saj më herët nga shërbimi informativ i Kosovës.

“Ka rënë gjithë struktura e sigurisë jo për faktin e asaj ç’ka bërë drejtoresha e shërbimit informativ kombëtar se nuk më takon mua ta gjykoj, por sepse ka rënë piramida e sigurisë kombëtare duke filluar nga ai që propozon që është kryeministri i vendit, që përpara se të propozojë drejtuesin e shërbim informativ kombëtar duhet të bëjë një veting të plotë për karakterin, vlerat, punën edhe për marrëdhëniet që ka pasur para dhe gjatë kryerjes së aktivitetit. Po ashtu është një veting tjetër që kryhet nga presidenti i republikës, i cili pavarësisht se e propozon, kryeministri ka detyrën që të bëjë vetingun me të gjitha institucionet për drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar. Të gjitha informacionet që merrni ju si kryetar i Kuvendit, që merr presidenti i Republikës, që merr kryeministri apo dhe disa ministra, burojnë pikërisht nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe partneriteti me shërbimet inteligjente. Prandaj mendoj kryetar që është e rëndësishme të diskutojmë dhe të dalim disa përfundime dhe do ju kërkoja ju së pari kryetar të bëni diskutim në Konferencën e Kryetarëve, të kërkoni të gjithë informacionin nga kryeministri, nga presidenti, nga shërbimi informativ se si është përzgjedhur, si është bërë vetingu mbi ç’lloj informacionesh, si është shkarkuar kjo zonjë dhe për çfarë arsye nga Shërbimi Informativ i Kosovës. Të gjitha ato çështje të cilat do të na bëjnë ne të paktën të marrim një qëndrim këtu sot për atë që është interesi i sigurisë kombëtare pavarësisht nga dallimet politike që kemi me njëri-tjetrin. Ne jo vetëm kemi krijuar një problem të madh me sigurinë kombëtare, por e kemi zhbërë parlamentarizmin dhe po ju them interesi i vetëm për ta zhbërë parlamentarizmin e këtij vendi është i krimit, korrupsionit dhe pushtetit të Edi Ramës”, tha Mediu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos