Tre vjet nga sulmi në Banjskë: Kosova përkujton Afrim Bunjakun, Britania kërkon nga Serbia dorëzimin e autorëve

24 Shtator 2026, 12:16Rajoni TEMA
Tre vjet nga sulmi në Banjskë: Kosova përkujton Afrim Bunjakun,

Kosova shënon këtë të enjte trevjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator 2023 mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në nder të tij janë parashikuar homazhe, vizita te familja dhe vendosja e gurthemelit të një obelisku në vendin ku ndodhi sulmi.

Aktivitetet përkujtimore nisin në orën 10:00 me një vizitë te familja Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa në orën 10:40 do të zhvillohen homazhe pranë varrit të tij.

Në orën 12:00, në Banjskë të Zveçanit, do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar rreshterit të vrarë. Ceremonitë do të përmbyllen në orën 20:00 me një akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Në trevjetorin e ngjarjes ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se autorët e sulmit duhet të përgjigjen para drejtësisë. Sipas Kurtit, sulmi shkaktoi dhimbje dhe vuajtje, por institucionet e Kosovës arritën të rivendosnin kontrollin dhe sigurinë.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar Afrim Bunjakun, ndërsa ka përsëritur akuzat ndaj Milan Radoiçiqit, të cilin autoritetet e Kosovës e konsiderojnë organizator të grupit të armatosur që kreu sulmin.

Reagime kanë ardhur edhe nga përfaqësitë diplomatike në Kosovë. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka nderuar figurën e Afrim Bunjakut dhe ka vlerësuar guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës gjatë përballjes së armatosur dhe rikthimit të sigurisë në zonë.

Ambasada britanike ka vlerësuar gjithashtu punën e prokurorëve për hetimin e çështjes, ndërsa ka kërkuar që personat përgjegjës për sulmin të përballen me drejtësinë.

“Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbahen përgjegjës, pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Çfarë ndodhi në Banjskë?

Në orët e para të 24 shtatorit 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, ndërsa një tjetër efektiv u plagos.

Pas sulmit, pjesëtarët e grupit të armatosur u pozicionuan në dhe përreth Manastirit të Banjskës, ku pati shkëmbim zjarri me Policinë e Kosovës. Gjatë operacionit u vranë tre pjesëtarë të grupit, ndërsa pjesa tjetër u largua.

Milan Radoiçiq mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit që mori pjesë në ngjarje. Ai ndodhet në Serbi, ndërsa autoritetet e Kosovës kanë kërkuar që të dorëzohet për t'u përballur me drejtësinë.

Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë në lidhje me sulmin.

Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në shkallë të parë Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burg.

Sulmi në Banjskë u dënua nga institucionet e Kosovës, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa Prishtina vazhdon të kërkojë vënien para drejtësisë të personave të akuzuar për organizimin dhe pjesëmarrjen në të.

Lini një Përgjigje