AKTUALITET, 24 September 2026, 12:16

Shantazh?! Vlora Hyseni në GJKKO, çfarë deklaroi para gazetarëve: Në takime me agjentët serbë, në dhomat e hotelit “Rogner”

Ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, e shoqëruar nga forca të shumta policie sipas procedurës, ka mbërritur në zyrat e Gjykatës së Posaçme për njohjen me masën dhe akuzat.

Hyseni, e cila aktualisht është nën masën arrest shtëpie, sot pritet të njihet me masën e sigurisë.

Gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur shkurtimisht në përgjigjie të interesimit të gazetarëve, duke thënë:

“Në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner”.

Hyseni, e cila ndodhet nën arrest shtëpie dhe më pas u lirua nga detyra, ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme me makinë policie dhe e shoqëruar nga avokati i saj, Kastriot Selita.

Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH në makinën e Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t, të cilat dyshon se ia ka vënë në dispozicion Hyseni.

Kjo e fundit ishte pyetur më 18 shtator nga SPAK, jo për herë të parë, si person në dijeni për lidhjet me biznesmenin, por ka pretenduar se komunikimet mes tyre ishin në kuadër të bashkëpunimit të tij si informator i SHISH.

Ndërkohë, më herët GJKKO la në burg Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, të cilët akuzohen nga SPAK se ndihmuan Ergys Agasin gjatë arratisë.