
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi nga kryeparlamentari Niko Peleshi që të diskutohen në Kuvend zhvillimet e fundit që lidhen me sigurinë kombëtare. Gjatë fjalës së saj në Kuvend Tabaku deklaroi se janë tronditur themelet e Shqipërisë në NATO, si edhe është goditur rëndë imazhi i Shqipërisë.
“Unë e di dhe ju si socialistë nuk jeni komod me atë që ka ndodhur. Ju shoh që jeni në vështirësi, e keni ulur kokat. Shumë nga ju nuk bien dakord me këtë që po i ndodh sot Shqipërisë. Është normale që në këtë parlament të flitet për këtë skandal. Na kanë ndarë shumë gjëra bashkë në politikë, po Shqipëria anëtare e NATO-s ka qenë një nga arritjet më të mëdha të kombit shqiptar. E sot ato themele janë tronditur. Na kanë ndarë shumë gjëra bashkë në politikë, po siguria kombëtare duhet të ishte prioritet. Sot është vënë pikëpyetje themeli i shtetit shqiptar. E kjo nuk është një njollë për mazhorancën, është një njollë për shtetin. Është një njollë e parikuperueshme për shtetin. Për këtë arsye ju si numri dy i shtetit duhet të merrni masa që ky parlament menjëherë ta diskutojë se si është cenuar siguria kombëtare”.
Deputetja demokrate u bëri thirrje gjithashtu Presidentit të Republikës dhe partnerëve ndërkombëtarë të kërkojnë sqarime mbi situatën dhe pasojat e saj për sigurinë kombëtare.
“Unë i bëra thirrje dhe presidentit të Republikës dhe e di që ndoshta s'duhet të pres shumë, po sot duhet të ishte ngritur në këmbë i gjithë shteti shqiptar. I bëj thirrje të gjithë vendeve anëtare të NATOS-s, i bëj thirrje të gjithë përfaqësive diplomatike të marrim informacion çfarë ka ndodhur me sigurinë kombëtare. Sot është cenuar rëndë imazhi i Shqipërisë. Unë e di që ju nesër nuk jeni në pushtet, do largoheni, por kjo është njollë për shtetin shqiptar e kjo njollë për shtetin shqiptar nuk zhbëhet lehtë”.
Sipas Tabakut, ky nuk është një rast i izoluar, por lidhet me mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore. Ajo akuzoi qeverinë për krijimin e një sistemi që, sipas saj, ka dëmtuar besimin e qytetarëve dhe imazhin e vendit.
“Ky nuk është një rast i izoluar. Ky është një rast i sistemit që Edi Rama ka ngritur. Ky është një rast i sistemit që sot përfaqëson më së miri Shqipërinë. Se kanë ik ministrat e financës e kanë ardhur po njësoj. Kanë ikur kryebashkiakë e kanë ardhur po njësoj. Kanë ik kompan që kanë vjedhur me inceneratorët. Po ka ardhur Kajo, ka ardhur AKSHI, po vjen shëndetësia, ka ardhur një sistem i tërë i cili vetëm zhvat qytetarët shqiptarë. Po sot e ka nxjerrë edhe shtetin zhgërlaq, shtet kartoni të thërrmuar në themele në bazë të demokracisë. Për këtë arsye ky parlament nuk sillet dot sikur s'ka ndodhur asgjë. Ky parlament duhet të ngrihet në lartësinë që kërkon sot Shqipëria. Duhet të ngrihet në lartësinë që kërkojnë qytetarët. Ajo protestë atje jashtë është pikërisht edhe arrogancës së këtij parlamenti. Është edhe kundër këtyre kartonëve që ngrihen sa herë që keni nevojë, kundër ligjeve të porositura, kundër çdo vendimi që sot është dhe bie ndesh me imazhin e Shqipërisë".
Tabaku theksoi se Kuvendi duhet të diskutojë se çfarë është cenuar, çfarë informacioni ka dalë dhe çfarë procedurash janë ndjekur, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale
“Kështu që zoti Peleshi si numri dy i këtij vendi ju takon ju t'i riktheni dinjitetin parlamentit. Të diskutojmë se çfarë mund të rikuperohet në qoftë se mund të rikuperohet me imazhin e Shqipërisë. Çfarë është cenuar, si është cenuar, çfarë informacionesh kanë dalë, çfarë procedurash janë ndjekur. Të gjitha këto sot duhet të jenë pjesë e debatit të këtij parlamenti. Përndryshe vazhdoni, ngrini kartonat, e ulni kokën, po Shqipërinë e zhytët e i ulët kokën përgjithmonë”.
(A2 Televizion)