Kosova do të nisë sonte sezonin e ri në Ligën e Kombeve, teksa pret në Prishtinë në orën 20:45 Irlandën. ‘Dardanët’ janë në Ligën B të kompeticionit dhe në grupin ku bëjnë pjesë edhe Austria e Izraeli duan jo vetëm paraqitje pozitive, por edhe të sigurojnë një mundësi më shumë për evropianin.

“Presim që të jetë ndeshje e vështirë, shumë fizike, por jemi përgatitur dhe kemi analizuar kundërshtarin shumë mirë. Do jemi gati,”-tha Leon Avdullahu, futbollist i Kosovës.

“Besoj se do të kemi rezultate shumë të mira, duke patur parasysh ekipin që kemi. Janë lojtarë të rinj dhe me shumë ekperiencë, të cilët mund të bëjnë diferencën. Kemi për t’i fituar ndeshjet,”-u shpreh Milot Avdyli, futbollist i Kosovës.

Për t’u veçuar fakti që sonte në ‘Fadil Vokrri’ për Irlandën mund të luajë Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare Rudi Vata, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë origjinën e gjyshes së tij nga nëna.