CIA paralajmëron për sulme të mundshme ruse me dronë ndaj Italisë, Francës dhe Spanjës

24/09/2026 12:32

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar disa vende europiane për një skenar të mundshëm të përshkallëzimit rus, që përfshin sulme me dronë ndaj objektivave në Itali, Francë ose Spanjë.

Informacioni është publikuar nga gazeta spanjolle “El Mundo”, e cila raporton se inteligjenca amerikane ka mbledhur të dhëna mbi planet e mundshme të Moskës dhe i ka ndarë ato me qeveri europiane.

Sipas raportimeve, dronët mund të lëshohen nga anije tregtare në Detin Mesdhe, të fshehur në kontejnerë. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Lituanisë i kanë thënë El Mundo se modeli që mund të përdoret është droni Gerbera, me një rreze veprimi të raportuar deri në 600 kilometra.

Raportimi e lidh paralajmërimin me vizitën e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë më 25 gusht, pas së cilës informacionet mbi një skenar të mundshëm sulmi u shpërndanë te disa vende europiane.

Megjithatë, nga Italia ka ardhur një kundërvërejtje e rëndësishme: burime të cituara nga ANSA deklaruan se deri tani nuk ka mbërritur ndonjë alarm në nivel operacional, ndërsa ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka thënë se pretendimi nuk ka gjetur konfirmim.

Raportimi vjen në një kohë kur vendet europiane kanë rritur vëmendjen ndaj kërcënimeve hibride dhe incidenteve me dronë, përfshirë raste të raportuara së fundmi në hapësirën europiane.

Top Channel