Arrestimi i Vlora Hysenit ka rikthyer vëmendjen te emërimi i saj në vitin 2023 në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë dhe i ka shkaktuar një goditje të madhe reputacionit të vendit anëtar të NATO-s.
Nga Edmond Hoxhaj, BIRN
Arrestimi i Vlora Hysenit i ka shkaktuar një goditje serioze integritetit të Shërbimit Informativ të Shtetit shqiptar, të cilin ajo drejtonte, dhe ka ngritur pikëpyetje mbi procesin që çoi në emërimin e saj.
Ndërsa deputetët e Partisë Socialiste në pushtet thanë se çdo shkelje e kryer nga Hyseni ishte përgjegjësi e saj personale, opozita e paraqiti arrestimin e saj të martën në mëngjes si një çështje të sigurisë kombëtare që meriton debat parlamentar.
Prokurorët e posaçëm për krimin e organizuar dhe korrupsionin e akuzojnë Hysenin, 42 vjeçe, për zbulim të sekreteve shtetërore dhe ndihmë ndaj një personi të përfshirë në një vepër penale, në kuadër të një hetimi mbi manipulimin e dyshuar të tenderëve publikë të nxjerrë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, e cila koordinon zhvillimin e sistemeve shtetërore të informacionit dhe procedurat e digjitalizimit, si dhe administron portalin shtetëror të shërbimeve publike, e-Albania.
Ndërsa ndodhej në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e Hysenit; presidenti Bajram Begaj nxori një dekret për këtë qëllim të martën në mbrëmje.
Megjithatë, nuk ka gjasa që kjo të jetë fundi i historisë, jo më pak për shkak të statusit të Shqipërisë si anëtare e NATO-s.
“Për momentin, mund të themi se incidenti ka dëmtuar integritetin dhe reputacionin e institucioneve të përfshira, si dhe besimin dhe bashkëpunimin mes tyre”, tha Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes në Tiranë.
“Se si do të përshkallëzohet dëmi, mbetet për t’u parë.”
Kontrollohet shtëpia e ish-drejtorit të Policisë
Në kuadër të të njëjtit hetim, Gjykata e Posaçme e Shqipërisë miratoi gjithashtu kontrollin e banesës së ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe arrestimin e dy personave të tjerë, mes tyre një zyrtar i Institutit të Policisë Shkencore.
Proda u pa të martën në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
SPAK ka akuzuar ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashin, për manipulim të tenderëve dhe orientim të dhjetëra milionë eurove në duart e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirajt. Karçanaj u shkarkua në shkurt.
Beqiraj u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa po fluturonte me një avion të vogël përmes hapësirës ajrore të kufizuar mbi një central bërthamor. Ai ndodhet ende në Francë. Prokurorët shqiptarë thonë se ai transferoi në Francë të ardhurat e paligjshme nga tenderët e manipuluar, ku bleu një vilë-kështjellë, dy apartamente dhe makina.
Agasi u arrestua më 27 gusht, pas një kërkimi prej disa muajsh.
Karçanaj, Delibashi dhe Agasi i mohojnë të gjitha akuzat për shkelje.
Rënia e Hysenit ka rikthyer vëmendjen te rrethanat në të cilat ajo e mori fillimisht këtë detyrë.
Me origjinë nga Kosova fqinje, Hyseni ishte një zyrtare e lartë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, AKI, nga viti 2019 deri në vitin 2021, përpara se të shkarkohej papritur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e atëhershme Vjosa Osmani.
Disa muaj më vonë, Hyseni u shfaq në Tiranë si këshilltare e Ramës për sigurinë. Më pas, në mars 2023, Rama e zgjodhi atë për të drejtuar Shërbimin Informativ të Shtetit, SHISH.
Ndonëse nuk pranoi të komentonte akuzat konkrete ndaj saj, Ilir Kulla, ish-këshilltar i lartë i shtetit dhe ekspert i sigurisë, vuri në pikëpyetje emërimin e saj në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm, duke thënë se “detyra që iu dha ishte një mision i pamundur” për Hysenin.
Në zyrën e Agasit, hetuesit gjetën regjistrime të bisedave telefonike mes Agasit dhe personave ende të paidentifikuar.
Kulla tha se regjistrimet mund të ishin potencialisht “një lak rreth qafës së shumë njerëzve”.
Duke komentuar vendimin për arrestin shtëpiak të Hysenit, kryeministri Edi Rama tha të mërkurën në mbrëmje se çështja e saj është një çështje individuale që duhet t’i lihet sistemit të drejtësisë.
Rama përsëriti parimin e prezumimit të pafajësisë dhe refuzoi të komentonte përmbajtjen e hetimit. Ai kritikoi gjithashtu atë që e përshkroi si tendencën e medias për t’i kthyer çështje të tilla në gjyqe publike përpara se gjykatat të kenë dhënë një vendim.
“Duket e pashmangshme që çdo hetim apo masë e marrë nga sistemi i drejtësisë ndaj figurave publike të bëhet një justifikim për t’i shqyer njerëzit në arenën politike dhe mediatike dhe për të kërkuar ‘litarin’, si në sheshet mesjetare të ekzekutimeve, shumë kohë përpara se gjykata të ketë thënë fjalën e saj”, shkroi Rama në një postim në X.
© SYRI.net
'Ky është narkoshtet', Noka: Njërën shtyllë e ka Ron Yeffet, me Ergys Agasin dhe Klod Allajbeun
Gjekmarkaj, thirrje socialistëve: ‘Reagoni! Ndryshe, nuk jeni më deputetë; Jeni thjesht kartona pa dinjitet’
Shteti në gjunjë para krimit të organizuar, narkopolicia dhunon protestuesit, qytetari i shtrirë në tokë humb ndjenjat