web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

BERZH: Ekonomia shqiptare pritet të rritet 3.5% nxitur nga reformat e BE-së, energjia mbetet rrezik

24 Shtator 2026, 12:41, Ekonomi CNA

BERZH: Ekonomia shqiptare pritet të rritet 3.5% nxitur nga reformat e

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rritur lehtë parashikimin për ekonominë shqiptare, duke pritur një zgjerim prej 3.5% si në 2026, ashtu edhe në 2027, të mbështetur nga investimet dhe reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Parashikimi për këtë vit është rritur me 0.1 pikë përqindjeje nga raporti i qershorit, kur BERZH priste rritje prej 3.4%. Sipas Bankës, rishikimi në rritje “pasqyron reformat dhe investimet e lidhura me anëtarësimin në BE”.

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në 2025 dhe ruajti një ritëm të ngjashëm në fillim të këtij viti, me një zgjerim prej 3.7% në tremujorin e parë të 2026-s. Administrata publike, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi ishin sektorët që mbështetën më shumë aktivitetin ekonomik.

Industria dhe bujqësia, në të kundërt, vijuan tkurrjen. BERZH e lidh ecurinë më të dobët të tyre me forcimin e lekut, kërkesën e dobët të jashtme dhe rritjen e pagave, faktorë që kanë ushtruar presion mbi konkurrueshmërinë.

Pozicioni i jashtëm i ekonomisë është përmirësuar. Deficiti i llogarisë korrente vijoi të ngushtohej në fillim të vitit, i mbështetur nga të ardhurat rekord nga turizmi dhe remitancat e larta, megjithëse deficiti në tregtinë e mallrave vazhdoi të zgjerohej.

Flukset neto të investimeve të huaja direkte u rritën me 11% me bazë vjetore në tremujorin e parë, të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe ndërmjetësim financiar.

Presionet mbi çmimet, ndërkohë, janë rritur. Inflacioni arriti në 3.4% në korrik, mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, i nxitur nga transporti, ushqimet dhe kostot e banesave. Qeveria ka përdorur ulje të akcizave, kufizime të çmimeve dhe subvencionim të transportit publik për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve globale të karburanteve. Norma bazë e interesit ka mbetur në 2.5% që nga mesi i vitit 2025.

Kreditimi ka vijuar të rritet me ritme të forta, ndërsa përfitueshmëria e bankave është dobësuar për shkak të kostove më të larta të financimit dhe provigjioneve, pavarësisht përmirësimit të cilësisë së aktiveve.

Edhe pozicioni fiskal është përmirësuar në gjysmën e parë të vitit. Pas një deficiti prej 1.8% të PBB-së në 2025, buxheti kaloi në suficit, i ndihmuar nga të ardhurat më të larta nga TVSH-ja, ndërsa borxhi publik zbriti në 49% të PBB-së në mesin e vitit.

BERZH identifikon presionet mbi konkurrueshmërinë, rreziqet klimatike dhe paqëndrueshmërinë e çmimeve të energjisë të lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme si rreziqet kryesore për parashikimin e Shqipërisë.

Në Ballkanin Perëndimor, rritja pritet të arrijë 3% në 2026 dhe 3.5% në 2027, e mbështetur nga përmirësimi i kërkesës së jashtme, investimet më të forta dhe turizmi. Parashikimi për këtë vit është rritur nga 2.9% në raportin e qershorit.

Perspektiva rajonale vjen në një mjedis më të vështirë për ekonomitë ku operon BERZH. Banka uli parashikimin e përgjithshëm të rritjes për 2026 në 2.5% nga 3.1% në qershor, përpara një përshpejtimi të pritshëm në 4% në 2027.

Çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, thatësira, ndërprerjet e transportit në Detin e Zi dhe kushtet më të shtrënguara të financimit po rëndojnë perspektivën. Çmimet e gazit janë rritur me më shumë se 70% që nga shkurti, ndërsa çmimet e grurit me më shumë se një të tretën, sipas BERZH-it./ Monitor 





Lajmet e fundit nga